Investimet në ndërmarrjet publike, përmirësimi i sektorit privat, zhvillimi i bujqësisë dhe investimet në infrastrukturë janë disa nga prioritetet kryesore në programet e partive politike, të cilat i prezantojnë në kuadër të premtimeve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 6 tetorit.
Edhe pse fushata zgjedhore fillon më 25 shtator, kjo nuk u ka penguar partive garuese në zgjedhje, që t’i paraqesin tashmë pikat kryesore në programet e tyre, ku theksi vihet në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.
Partia Demokratike e Kosovës, sipas zyrtarëve të saj, do të ketë prioritet sektorin privat, konkretisht lehtësira në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe sektorin e energjisë.
Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, përmend edhe realizimin e disa projekteve kapitale në rast se PDK vjen në pushtet pas 6 tetorit.
“Ne jemi për zhvillimin dhe implementimin e projektit të Gazsjellësit, sigurisë energjetike duke përfshirë edhe kapacitet e energjisë se ripertritshme dhe kapaciteteve që ka për bazë thëngjillin".
"Kompleksin turistik 'Brezovica' si projekt i madh, zhvillimi i 'Trepçës' si kompleks me rëndësi si dhe sistemet e ujitjes, siç është sistemi i Ibër-Lepencit, Radoniçit dhe sisteme tjera që mundësojnë furnizimin me ujë edhe rritjen e sipërfaqeve të ujitura”, tha Hamza për Radion Evropa e Lirë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është në koalicion me Partinë Socialdemokrate, premton se me investime në kombinatin “Trepça”, pastaj investimet në sektorin privat dhe investime në bujqësi, do të rrisin zhvillimin ekonomik.
Pal Lekaj, kandidat për deputet nga ky koalicion, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se në rast të marrjes së pushtetit pas zgjedhjeve parlamentare, gjendja ekonomike do përmirësohet.
“Është Fondi Zhvillimor që do të ndikojë dukshëm në zhvillimin ekonomik duke përkrahur ndërmarrjet e mesme dhe ekonominë familjare. E sidomos fokusi kryesor do të jetë në mbështetje të fermerëve, meqë Kosova është rreth 60 për qind tokë bujqësore. Prioritet i dytë është rivitalizimi i 'Trepçës', ku do të investohen qindra miliona euro, do të tërheqim investitorët e jashtëm. Po ashtu, prioritet sa i përket infrastrukturës do të jetë 'Autostrada e Dukagjinit' dhe kjo do të ndikojë në krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Lekaj për Radion Evropa e Lirë.
Kurse Valdrin Lluka nga Aleanca Kosova e Re, parti kjo në koalicion me Nisma Socialdemokrate dhe Partinë e Drejtësisë, thotë se fokusi kryesor në aspektin ekonomik do të jetë rritja e investimeve të huaja direkte përmes krijimit të parqeve, pastaj krijimi i lehtësirave tatimore për bizneset ekzistuese dhe biznese të reja të cilat mund të krijojnë vende të reja të punës përmes eksportit.
“Luftimi i ekonomisë joformale duke rritur numrin e inspektorëve të Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, zhvillimi i infrastrukturës energjetike (thëngjill, gaz dhe energji e ripërtërishme) dhe hekurudhore me Shqipëri, platforma agrare në bujqësi për produkte me vlerë të shtuar, mbështetja dhe financimi i bizneseve fillestare, si dhe mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për fushën e teknologjisë dhe komunikimit”, thotë Lluka.
Luftimi korrupsionit, tregu i lirë dhe konkurrueshmëria, eliminimi i fenomenit të monopolit në institucione, bashkimi i Doganës së Kosovës me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), janë vetëm disa nga premtimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës në aspektin ekonomik, thotë Hykmete Bajrami, kandidate për deputete nga kjo parti.
Ajo ndërkaq thotë se në rast të marrjes së pushtetit, do zvogëlohet edhe numri i ministrive aktuale.
“Një nga projektet më të mëdha i cili do të japë rezultate të menjëhershme është mbledhja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) brenda vendit dhe jo në kufi siç është sot. Prioritet tjetër është rishikimi i institucioneve të cilat merren me zhvillimin ekonomik. Më pas është eliminimi i të gjitha monopoleve, sot ka disa monopole në fusha të ndryshme. Prioritetet tjetër është rishikimi komplet i subvencioneve dhe granteve në bujqësi. Ajo që është më rëndësi, LDK mendon se është stabiliteti politik, lufta kundër korrupsionit, rendi dhe ligji, këto janë parakushte për zhvillimin ekonomik”, tha Bajrami.
Përgjigje rreth projekteve kapitale dhe prioriteteve kryesore ekonomike, Radio Evropa e Lirë ka kërkuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por zyrtarët e këtij subjekti politik nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për datën 6 tetor, pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.
Dorëheqja e tij kishte pasuar ftesën nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku Haradinaj ishte ftuar për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte. Më pas, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar mocionin e shpërndarjes, duke i dhënë kështu mundësinë ligjore presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për datën 6 tetor.
(Renditja e subjekteve politike është bazuar në bazë të shortit në fletëvotime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 6 tetor).