Ndërlidhjet

Vazhdojnë mospajtimet për pozitat e larta në BE


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Krerët e Bashkimit Evropian kanë rifilluar bisedimet në Bruksel, pasi gjatë takimit të së dielës nuk arritën pajtim për emërimet në pozitat udhëheqëse të BE-së.

Kryesuesi i samitit, Donald Tusk, bëri të ditur se po zhvillohen edhe bisedime bilaterale mes vendeve anëtare.

Ai tha se disa liderë e kanë propozuar holandezin socialist, Frans Timmermans, si kreun e ri të Komisionit Evropian.

Agjencia Reuters, raportoi se udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë pranë vendimit për të emëruar Timmermansin si president të Komisionit Evropian, për ta zëvendësuar Jean- Claude Juncker.

Por, emërimi po përballet me kundërshtime të ashpra nga shtetet e Evropës Lindore dhe udhëheqësit e qendrës së djathtë nga grupi më i madh politik i BE.

Komisioni Evropian është përgjegjës për propozimin e ligjeve të reja të BE-së, zbatimin e rregullave të bllokut dhe trajtimin e marrëveshjeve tregtare.

Agjencia Reuters, raporton se dy diplomatë evropianë kanë konfirmuar se Kristalina Georgieva mund të kryesojë Këshillin Evropian.

Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel është një kandidat i fuqishëm për t’u zgjedhur si shef i politikës së jashtme të BE-së, në vend të Federica Mogherinit, thanë dy diplomatët.

Grupi i Partive Popullore Evropiane të qendrës së djathtë donin që Manfred Weber të jetë president i Komisionit Evropian, por duket se ai do të kryesojë Parlamentin Evropian, thanë diplomatët, duke shtuar se diskutimet ishin ende po vazhdojnë edhe pas më shumë se 18 orësh bisedimesh.

Ku qëndrojnë mospajtimet?

Emërimet në pozitat kyçe të BE-së, i ka paraprirë një mospajtim mes kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbështet Manfred Weber, konservatorin gjerman nga grupimi i Partive Popullore Evropiane të qendrës së djathtë, që është grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, por humbi vende në zgjedhjet e majit të BE-së.

Presidenti Macron ka sugjeruar që Weberi nuk ka përvojë politike dhe qeveritare për një pozitë të tillë të profilit të lartë.

Kush mund të zgjidhet në pozitat e larta në BE?

Zgjedhjet për pozitat më të larta të BE-së duhet të marrin parasysh rezultatet e zgjedhjeve evropiane të muajit maj dhe të arrijnë një ekuilibër të pranueshëm për shtetet e mëdha dhe të vogla, gjininë dhe gjeografinë.

Sipas procedurës së "Spitzenkandidat" të miratuar nga BE më 2014, liderët duhet të marrin parasysh se cila parti fitoi shumicën e vendeve në Parlamentin Evropian kur vendosin rolet duke përfshirë presidencën e Komisionit Evropian.

Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë (PPE) mori më shumë vota në zgjedhjet e majit, por nuk ka shumicën.

Presidenti francez, Emmanuel Macron është midis atyre që kundërshtojnë procesin e "Spitzenkandidat".

Në zgjedhjet e majit liberalët - duke përfshirë aleancën e zotit Macron - dhe të Gjelbrit, shënuan rritje kështu që blloku i qendrës së djathtë dhe ai i qendrës së majtë nuk mund të dominojnë më vendimet në BE. Nacionalistët gjithashtu shënuar rritje.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG