Ndërlidhjet

Të famshmit kërkojnë falje që morën pjesë në ndejën "Pothuajse zhveshur" në Moskë


Aktorja dhe blogerja, Anastasia Ivleyeva. Fotografi nga arkivi.
Aktorja dhe blogerja, Anastasia Ivleyeva. Fotografi nga arkivi.

Organizatorja e një ndeje të ashtuquajtur "Pothuajse zhveshur" dhe disa të famshëm që morën pjesë në të në një klub nate, javën e kaluar, në Moskë, kanë kërkuar falje pas kritikave zyrtare dhe pasi një nga pjesëmarrësit u dënua më burg për “huliganizëm”.

Ndeja ishte organizuar më 21 dhjetor nga aktorja dhe blogerja, Anastasia Ivleyeva, në klubin e natës Mutabor, dhe aty morën pjesë shumë të famshëm, përfshirë edhe këngëtarë të njohur, si Filipp Kirkorov, Anna Asti, fituesi i Eurovision-it Dima Bilan, dhe Lolita Milyavskaya, gazetarja Ksenia Sobchak, dhe reperi Vacio (Nikolai Vasilyev), i cili u shfaq i veshur vetëm me një çorape në organet gjenitale.

Vacio u dënua nga një gjykatë në Moskë më 27 dhjetor me 15 ditë burgim për "huliganizëm" dhe u shpall gjithashtu fajtor për "propagandimin e marrëdhënieve LGBT". Ai mori një gjobë prej 200 mijë rublash, apo 2.180 dollarësh.

Gjykata e qarkut Lefortovo, në Moskë, nuk e akuzoi Ivleyevan, por vendosi që ndeja ka shkelur një ligj që ndalon "propagandën e marrëdhënieve seksuale jotradicionale".

Ivleyeva, në dy video të publikuara në internet, kërkoi falje për organizimin e ndejës.

"Ata thonë se Rusia është në gjendje të falë. Nëse është kështu, unë do të doja shumë t’i kërkoja popullit një mundësi të dytë," tha Ivleyeva në një video, duke u kërkuar falje atyre që mund të jenë ofenduar nga ngjarja.

Milyavskaya, Bilan, Kirkorov dhe Sobchak publikuan gjithashtu video duke kërkuar falje.

Megjithatë, faljet online dukeshin të pamjaftueshme për të kompensuar pasojat ekonomike.

Sipas raportimeve, operatori më i madh i telefonisë mobile MTS, kanalet televizive TNT dhe NTV, banka Tinkoff dhe rrjeti social VK anuluan kontratat e tyre të reklamimit me Ivleyevan dhe të famshëm të tjerë që morën pjesë në ndejë.

Gjithashtu, janë anuluar koncertet e disa artistëve të pranishëm, si dhe pjesëmarrja e tyre në programe speciale televizive në natën e Vitit të Ri, sipas raportimeve.

Kërkim-faljet e pjesëmarrësve nxitën debate të nxehta në internet. Disa rusë i krahasuan me ngjarjet gjatë epokës së diktatorit sovjetik, Josef Stalin, gjatë së cilës shumë njerëz u penduan për vepra reale ose imagjinare, në mënyrë që të përpiqeshin të mbronin jetën e tyre mes spastrime masive.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG