Ndërlidhjet

Polonia i reagon Rusisë pas komenteve “provokuese” të Putinit


Presidenti rus, Vladimir Putin, duke udhëhequr një takim me pjesëtarët e qeverisë së tij, përmes videolidhjes, në Kremlin, Moskë, më 19 korrik 2023.
Presidenti rus, Vladimir Putin, duke udhëhequr një takim me pjesëtarët e qeverisë së tij, përmes videolidhjes, në Kremlin, Moskë, më 19 korrik 2023.

Ministria e Jashtme e Polonisë të shtunën e ka thirrur në bisedë “urgjente” ambasadorin rus, për të protestuar ndaj atyre që Varshava i ka quajtur “deklarata provokuese” nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Udhëheqësi rus të premten e ka akuzuar Poloninë për ambicie territoriale në Ukrainën perëndimore, një pohim i përsëritur shpesh nga Rusia, si dhe nga Bjellorusia, një aleate e ngushtë e Moskës, të cilën Putin më 21 korrik premtoi se do ta mbronte nga ndonjë sulm i mundshëm, raporton AFP.

Gjatë një takimi të këshillit të sigurisë kombëtare ruse, Putin pohoi, po ashtu, se territoret perëndimore polake ishin “dhuratë” e bërë pas Luftës së Dytë Botërore nga ish-udhëheqësi sovjetik, Joseph Stalin.

Zëvendësministri i Jashtëm polak, Pawel Jablonski, ka thënë se ambasadori rus është ftuar në bisedë pas “deklaratave provokuese nga presidenti rus, Vladimir Putin, si dhe pas kërcënimeve dhe veprimeve të tjera jomiqësore nga Federata Ruse karshi Polonisë dhe aleatëve tanë”.

“Takimi ishte shumë i shkurtër”, ka shtuar ai.

“Kufijtë ndërmjet vendeve janë absolutisht të paprekshëm, dhe Polonia kundërshton çfarëdolloj ndryshimi të tyre”, ka deklaruar Jablonski.

Pas komenteve të Putinit, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, të premten vonë shkroi në rrjetin social Twitter se “Stalin ishte kriminel lufte, përgjegjës për vdekjen e qindra mijëra polakëve”, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Jablosnki ka thënë se komentet e Putinit ishin “përpjekje për të shfajësuar një kriminel lufte – që ishte Stalin, nga një tjetër kriminel lufte – që është Putin sot”.

Marrëveshja e pasluftës, pas vitit 1945, përcaktoi që Polonia e sotme të zgjerohej për 30 kilometra në perëndim, krahasuar me kufijtë e saj të paraluftës.

Ajo marrëveshje bëri që Bashkimi Sovjetik të mbante pjesë të dikurshme të Polonisë, që Moska i kishte aneksuar më 1939, përderisa Polonia të fitonte territore, që kishin qenë pjesë e Gjermanisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG