Ndërlidhjet

Brenda pak javësh Polonia mund t'i dërgojë Ukrainës avionë luftarakë MiG-29


Avionë luftarakë ukrainas MIG-29. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Avionë luftarakë ukrainas MIG-29. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, tha se Qeveria e tij mund t'i dërgojë në Ukrainë avionët e saj luftarakë MiG-29 - avionë të prodhimit sovjetik - "brenda katër deri në gjashtë javët e ardhshme".

Udhëheqësit e Polonisë thanë javën e kaluar se dërgimi i avionëve luftarakë do të bëhej vetëm brenda një koalicioni më të madh ndërkombëtar.

Morawiecki nuk sqaroi nëse ka edhe vende tjera tjera që do ta ndiqnin këtë shembull.

Gjatë bisedimeve në Paris më 8 shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje në mënyrë specifike liderëve perëndimorë që të siguronin avionë luftarakë për t’u përballur me forcat ajrore ruse.

Sllovakia ka deklaruar, gjithashtu, gatishmërinë që t’ia japë flotën e saj të MiG-29 Ukrainës, në një këmbim të mundshëm të avionëve të tjerë, teksa Kievi po vazhdon të luftojë pushtimin rus.

Flota me MiG-29 që ka Sllovakia besohet se kap vlerën e 300 milionë dollarëve.

Më 11 mars, mediat në Finlandë raportuan se kryeministrja Sanna Marin është e gatshme të diskutojë sigurimin e avionëve luftarakë për Ukrainën.

Një javë më herët, kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, tha se është në favor të furnizimit të Ukrainës me avionë luftarakë.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca nuk e përjashton dërgimin e tyre nëse plotësohen disa kushte.

Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania u shprehëm kundër kësaj kërkese.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë.

Gjithashtu, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se SHBA-ja nuk do të dërgojnë avionë luftarakë F-16 në Ukrainë.

Forca ajrore e Ukrainës është familjarizuar me MiG-29 dhe mund t'i përdorë avionët menjëherë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG