Ndërlidhjet

Polonia, e gatshme të dorëzojë aeroplanët MiG-29 në dispozicion të SHBA-së


Aeroplan luftarak MiG-29. Fotografi nga arkivi.
Aeroplan luftarak MiG-29. Fotografi nga arkivi.

Polonia ka njoftuar se është e gatshme të dorëzojë të gjithë aeroplanët ushtarakë MiG-29 në bazën ajrore amerikane në Gjermani, dhe u ka bërë thirrje vendeve tjera anëtare të NATO-s, që kanë aeroplanë të tillë të prodhuar nga Rusia, që ta bëjnë të njëjtën gjë, ka thënë Ministria e Jashtme polake përmes një deklarate më 8 mars.

Ligjvënësit amerikanë kanë shtyrë administratën e presidentit amerikan, Joe Biden më 7 mars që të ndërmjetësojë transferimin e aeroplanëve nga Ukraina në Poloni, pas një kërkese që ka bërë më 5 mars, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

“Autoritetet e Republikës së Polonisë janë të gatshme të dorëzojnë - menjëherë dhe pa kosto shtesë – të gjithë aeroplanët MiG-29 në bazën ajrore Rammstein dhe t’i vendosin në dispozicion të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Ministria.

“Në të njëjtën kohë, Polonia i kërkon SHBA-së që t’i ofrojë aeroplanë të përdorur me kapacitete të ngjashme operacionale. Polonia është e gatshme që menjëherë të diskutojë për kushtet e blerjes së aeroplanëve”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar gjatë fundjavës se janë duke punuar në një marrëveshje me Poloninë për ta furnizuar Ukrainën me aeroplanë.

Është raportuar se Polonia do të dorëzojë aeroplanët MiG-29 në këmbim të aeroplanëve ushtarakë amerikanë.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG