Ndërlidhjet

Politizimi i universiteteve përmes ndarjes së çmimeve


Kryeministri teknkik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, gjatë vizitës në kampusin e Universitetit të Tetovës, shkurt 2024.
Kryeministri teknkik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, gjatë vizitës në kampusin e Universitetit të Tetovës, shkurt 2024.

“Këta [funksionarët] janë shkaktarët që rinia po ikën prej vendit tonë, ndërsa tani kanë ardhur këtu të bëjnë zhurmë për rininë, t’i tregojnë rinisë se këtu është më mirë”. Kështu tha një student që po protestonte bashkë me të tjerët para Universitetit të Tetovës (UT), ku të enjten ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mbajti një ligjëratë për integrimin evropian dhe fenomenin e largimit të të rinjve.

Studentët janë ankuar për politizimin e arsimit të lartë dhe dëshmi për këtë, sipas tyre, është përzgjedhja e studentëve që do të merrnin pjesë në ligjëratën e Osmanit.

“Këta kanë ardhur për interesat e tyre personale dhe politike, domethënë janë zgjedhur studentët që kanë mundur të hyjnë brenda, ata që janë të Bashkimit Demokratik për Integrim”, u shpreh studenti protestues.

Por, Osmani tha se në Universitetin e Tetovës nuk ka shkuar si përfaqësues i partisë politike, por si ministër i Jashtëm, në kuadër të një programi që do të realizojë edhe në institucionet tjera të arsimit të lartë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

“Unë jam këtu si ministër i Punëve të Jashtme. Kjo ligjëratë është pjesë e një aktiviteti që unë e kam nisur më herët, andaj edhe nuk ka të bëjë aspak me aktivitete partiake, prandaj thashë të mos më pyesni për çështje partie pasi këtu jam si ministër i Jashtëm”, ka thënë Osmani i pyetur për politizimin e Universitetit të Tetovës nga ana e BDI-së.

Bujar Osmani, që është edhe nënkryetar i BDI-së, nuk ka komentuar as vendimin e senatit të UT-së, i cili më 7 mars i ndau kryeministrit teknik, Talat Xhaferi, çmimin më të lartë “Fadil Sulejmani”.

Ky çmim ndahet për të arriturat shkencore, ndërsa është formuar për nder të Fadil Sulejmanit, njërit ndër themeluesit e universitetit në vitin 1994.

Në arsyetimin e ndarjes së çmimit për kryeministrin teknik, Talat Xhaferi, senati i UT-së, ka përmendur vetëm funksionet që ka ushtruar Xhaferi, por jo dhe aspektet shkencore të veprimtarisë së tij.

“Si kryeministër, ka premtuar se do të jetë politikan i përgjegjshëm, transparent dhe llogaridhënës për veprimet e tij dhe se do t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie etnike dhe partiake”, ka deklaruar Vullnet Ahmeti, përfaqësues i senatit.

Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, jgatë vizitës në Universitetin e Tetovës, shkurt 2024.
Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, jgatë vizitës në Universitetin e Tetovës, shkurt 2024.

Bashkim Ziberi, profesor në Universitetin e Tetovës dhe ish-kandidat për rektor, thotë se me ndarjen e çmimeve për politikanët, UT-ja tashmë është politizuar në vend se veprimtarinë e saj ta shtrijë në ngritjen e cilësisë në arsim dhe shkencë.

“Çmimet duhet të kenë të bëjnë vetëm me arsimin dhe shkencën. Kjo, për mendimin tim, nuk është asgjë tjetër përveçse politizim”, thotë Ziberi për Radion Evropa e Lirë (REL).

Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe profesor universitar, thotë për REL-in se ajo çfarë po ndodh në UT, sipas tij, nuk i ndihmon politikës. Sipas tij, një gjë e tillë e dëmton në masë të madhe autonominë e UT-së, pasi “me këto veprime drejtuesit e Universitetit sikur përçojnë mesazhin te studentët dhe qytetarët se cilët politikanë janë të preferuarit e tyre”.

“Mendoj se veprimet e tilla e dëmtojnë arsimin në tërësi dhe e zvetënojnë fuqinë, të cilën do të duhej ta kishin auditorët. Keqpërdorimi i cilido institucioni është i dëmshëm, është i qëllimshëm dhe është për ta dorëzuar qytetarin. Por, pushteti gjithmonë kërkon pushtet dhe më së lehti vepron aty ku mendon se mund ta konsumojë pazari. Kjo është e papranueshme pasi auditorët janë për të gjeneruar dije dhe jo broçkulla politike”, thotë Sinani.

Universiteti i Tetovës është i vetmi universitet në Maqedoninë e Veriut që ka ndarë çmime për politikanët e në mesin e tyre është edhe Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së, i cili më 17 dhjetor 2020 mori çmimin “Doctor Honoris Causa”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG