Ndërlidhjet

Politikanët shmangin debatin për problemet përmes fyerjeve personale


Flamuri i Maqedonisë së Veriut - Fotografi ilustruese nga arkivi.
Flamuri i Maqedonisë së Veriut - Fotografi ilustruese nga arkivi.

“Elita politike në Maqedoninë Veriut mbetet burim i gjuhës së urrejtjes dhe kjo është më e pranishme në rrjetet sociale”, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoninë e Veriut.

Këto reagime pasojnë porosinë e ambasadores amerikane në Shkup, Angela Aggeler, që diskursi i fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut të përqendrohet në çështjet thelbësore dhe jo në sulme personale.

“Nëse do të mund t’u jepja një rekomandim kandidatëve nga i gjithë spektri politik, do të ishte të kujtojmë se këto dhe të gjitha zgjedhjet e tjera janë për qytetarët e këtij vendi. Ata janë për të ardhmen që shpreson dhe e meriton ky vend dhe populli i tij. Ndaj shpresoj që diskursi i fushatës të fokusohet në çështjet thelbësore dhe jo në sulme personale, sepse besoj se njerëzit janë të lodhur nga negativiteti”, tha Aggeler.

Xhelal Neziri nga organizata joqeveritare për gazetari hulumtuese SCOOP, thotë për Radion Evropa Lirë (REL) se ka shumë pak oferta për zgjidhjen e problemeve, me të cilat përballet vendi dhe në këtë situatë goditjet personale mbeten arma më e fuqishme për të atakuar kundërshtarët.

“Detyrë e elitës politike është që të japë zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët dhe jo të ofrojë shou duke polarizuar shoqërinë përmes përplasjeve dhe përdorimit të gjuhës së rrugës gjatë fushatës, por edhe tani para fushatës zgjedhore”, thotë Neziri.

Nga ana tjetër, Bojan Kordallov, ekspert i rrjeteve sociale, për REL-in se elita politike e ka më të lehtë të ballafaqohet me sulmet personale sesa me përballje e përgjegjësi veçanërisht për faktin se asnjëra palë - as ajo në pushtet e as ajo në opozitë - nuk dëshiron të zbardhen aferat që kanë të bëjnë me korrupsionin në nivele të larta dhe me këtë të përballen me drejtësinë.

“Me përdorimin e shprehjeve fyese, fitohet përshtypja se kjo bëhet me qëllim pasi ata nuk janë të gatshëm për zgjidhjen sistematike, përkatësisht të mos zhvillohet debati për përgjegjësinë e mungesës së rezultateve mbi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” thotë Kordallov për REL-in.

Ai thekson se rrjetet sociale gjithnjë e më shumë po shndërrohen në një fushëbetejë për vjeljen e votave, andaj dhe pikërisht gjuha joadekuate dhe dezinformatat do të shpërndahen po përmes rrjeteve sociale.

“Për fat të keq pres që mediat sociale do të përdoren për diskreditimin e oponentëve politikë edhe kundrejt thirrjeve nga faktori ndërkombëtar për debate konstruktive dhe porosisë që japin qytetarët me mosdaljen në zgjedhje”, shton ai.

Ndëkaq Xhelal Neziri thotë se rrjetet sociale do të përdoren për të manipuluar opinionin publik.

“Bartja ose bërja e fushatës më shumë në rrjetet sociale, është një tregues që propaganda e zezë, dezinformatat dhe keqinformimi, si dhe mënyra e informimit manipulues, do të jenë arma kyçe në këto zgjedhje dhe mbase do të formësojnë një opinion të gabuar, i cili mund të përkthehet në një rezultat zgjedhor, i cili nuk do të jetë i mirë për të ardhmen e vendit”, vlerëson Neziri.

Zgjedhjet e shtata presidenciale është caktuar të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare më 8 maj kur do të mbahet dhe rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG