Ndërlidhjet

Policia përleshet me protestuesit pranë Ambasadës amerikane në Bejrut


Forcat libaneze duke u përleshur me protestuesit në afërsi të Ambasadës amerikane në Bejrut, 18 tetor 2023.
Forcat libaneze duke u përleshur me protestuesit në afërsi të Ambasadës amerikane në Bejrut, 18 tetor 2023.

Policia është përleshur me protestuesit të mërkurën gjatë demonstratave në Liban kundër sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës dhe kundër një shpërthimi vdekjeprurës në një spital atje, ku besohet se u vranë qindra njerëz.

Policia libaneze përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë protestuesit pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në periferi të kryeqytetit Bejrut.

Qindra njerëz protestuan nëpër një rrugë që çon drejt Ambasadës amerikane.

Protestuesit e zemëruar tentuan ta kalonin pengesën e telave me gjemba e cila e bllokonte rrugën drejt Ambasadës amerikane, sipas agjencisë së lajmeve DPA.

“Ne jemi të vetëdijshëm për protestat në Awkar në afërsi të Ambasadës. Fatkeqësisht, protestuesit e dhunshëm i dëmtuan pronat private në lagjen përreth Ambasadës, por stafi dhe personeli i Ambasadës është i sigurt dhe i padëmtuar”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane Jake Nelson.

Ai i falënderoi forcat e sigurisë së Libanit për reagimin e shpejtë për ta siguruar zonën.

Protestat në Liban dhe botën myslimane nisën të mërkurën pas një shpërthimi në një spital të Rripit të Gazës, si pasojë e të cilit u vranë qindra njerëz të martën mbrëma.

Grupi militant palestinez, Hamas, e ka fajësuar Izraelin për shpërthimin, në të cilin, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës u vranë rreth 500 njerëz.

Izraeli tha se nuk është përgjegjës dhe se fajin për këtë shpërthim e ka Xhihadi Islamik, një grup tjetër palestinez në Gaza.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara thanë se të dhënat dëshmojnë se Izraeli nuk është fajtor për shpërthimin.

"Derisa ne vazhdojmë të mbledhim të dhëna, vlerësimi ynë i tanishëm, bazuar në analizat pamjeve nga lart, përgjimet dhe informacionet nga burimet e hapura, është se Izraeli nuk është përgjegjës për shpërthimin në spitalin e Gazës dje", tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG