Ndërlidhjet

Policia e Kosovës arreston dy zyrtarë për "keqpërdorim të detyrës"


Policia e Kosovës
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës i ka arrestuar dy persona me inicialet F.M. dhe H.M, më 14 korrik, pas një bastisje në pronat e tyre, nën dyshimin për “keqpërdorim të detyrës zyrtare"

Mediat lokale raportojnë se pronat e bastisura janë të Faruk Mujkës, kryeshef i “Ibër Lepencit” dhe Hysen Muzilukajt, këshilltar i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.

Prokuroria Speciale njoftoi se "​ekziston dyshimi i bazuar mirë se dy personat të ndaluar, të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit."

Me aktvendim të Prokurorisë Speciale atyre u është shqiptuar masa e paraburgimit për 48 orë, njoftoi ajo.

Më herët gjatë ditës, Policia e Kosovës i ka bastisur dy lokacione, prona të dy personave të dyshuar.

"Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera është gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë eurosh (60.000)”, tha ajo.

Prokuroria Speciale shtoi se lidhur me këtë rast, në maj të vitit 2022, kishte pranuar informacione rreth dyshimeve për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Në fillim të këtij muaji, ndaj dy të dyshuarve ishte ngritur kallëzim për “keqpërdorim të detyrës apo autoritet zyrtar”.

Sipas Prokurorisë, akuzat kanë të bëjnë me kohën sa të dyshuarit ishin pjesë e udhëheqjes në Komunën e Mitrovicës së Jugut më 2021.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG