Policia e Kosovës ka bërë të ditur më 25 dhjetor se ka konfiskuar një numër të “pasjisjeve të rrezikshme” në lagjen multietnike në Mitrovicën e Veriut, për të cilat tha rrezikonin që potencialisht të përdoreshin për sulm ndaj zyrtarëve policorë.
Sipas njoftimit, Policia e Kosovës ishte njoftuar për këto mjete nga qytetarë të asaj zone në orët e hershme të së hënës dhe, më pas, kishin zhvilluar një operacion kontrolli.
“Aty [zyrtarët policorë] kanë gjetur: tela gjëmborë të improvizuar, bomba tymosëse, municion dhe një uniformë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Katër ditë më parë, Policia e Kosovës tha se kishte konfiskuar një sirenë alarmi me gjashtë zmadhues zëri në Mitrovicën e Veriut.
Në veri të Kosovës - ku jetojnë rreth 50.000 serbë që nuk i njohin institucionet e Prishtinës dhe e shohin Beogradin si kryeqytet të vetin - sirenat lëshohen kur strukturat paralele serbe duan të organizojnë ndonjë ngjarje.
Me lëshimin e tyre, serbët lokalë mblidhen dhe dalin në rrugë. Kështu ka ndodhur, për shembull, në rast të protestave të ndryshme apo ngritjes së barrikadave.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar edhe më herët për çështjen e këtyre sirenave, por nuk ka arritur të përcaktojë se kush saktësisht i aktivizon ato.