Ndërlidhjet

Shpërthimi afër Ujmanit: Policia bastis një shtëpi në Zubin Potok dhe sekuestron radiolidhje


Liqeni i Ujmanit.
Liqeni i Ujmanit.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar të dielën shpërthimin me granatë dore në pjesën veriore të vendit, në afërsi të Liqenit të Ujmanit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale në dy vetura, njëra me targa vendore, ndërsa tjera amerikane.

Sipas informatave të autoriteteve të sigurisë, granata është hedhur në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale afër Ujmanit, nga një apo më shumë persona të panjohur.

Ai ka thënë se në kuadër të hetimeve, policia e ka bastisur një shtëpi rreth orës 21:00 në zonën e Zubin Potokut.

“Gjatë bastisjes, policia ka hasur dhe ka sekuestruar në mes tjerash edhe tri radiolidhje dhe një veturë”, ka thënë Elshani për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se nuk është arrestuar askush, ndonëse policia e ka identifikuar një person, për të cilin ekziston interes për intervistim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se, “Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë”.

“Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhura me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës”, ka thënë Kurti, duke u zotuar për sundim dhe rend publik në gjithë Kosovën.

“Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë mes tjerash Kurti, përmes një postimi në Facebook.

Qytetarë të zonës janë parë në javët e fundit duke u freskuar afër liqenit, pas temperaturave të larta, gati 40 gradë Celsius.

Rëndësia e Ujmanit për Kosovën

Liqeni i Ujmanit konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë shtatë komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.

Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.

Lumi Ibër, që e mbush me ujë Ujmanin, buron në Mal të Zi, më pas kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 km, dhe prapë kthehet në Serbi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG