Ndërlidhjet

Policia izraelite i vret dy palestinezë në lindje të Jerusalemit


Policia izraelite. Fotografi ilustruese.
Policia izraelite. Fotografi ilustruese.

Policia kufitare e Izraelit i ka vrarë dy palestinezë në lindjen e aneksuar të Jerusalemit, pasi ata kishin hedhur fishekzjarrë dhe gurë në drejtim të oficerëve, njoftoi Policia izraelite të mërkurën.

Incidenti ndodhi të martën vonë në lagjen Silwan derisa oficerët po patrullonin në këtë zonë, tha Policia kufitare në një komunikatë.

Një oficer u godit nga fishekzjarrët, sipas saj.

“Si përgjigje ndaj kërcënimeve me jetë, oficerët e Policisë kufitare kanë shtënë me armë ndaj dy sulmuesve”, të cilët më vonë u konfirmuan të vdekur, thuhet në komunikatë.

Izraeli e uzurpoi lindjen e Jerusalemit në luftën gjashtëditore të vitit 1967 dhe më vonë e aneksoi atë përmes një vendimi i cili kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.


Tani, rreth 230.000 izraelitë jetojnë në këtë territor, pranë së paku 360.000 palestinezëve, të cilët duan ta bëjnë pjesën lindore kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Përleshjet e së martës janë të parat në lindje të Jerusalemit qëkur militantët e armatosur të Hamasit kryen sulme të vrullshme në lindje të Izraelit të shtunën.

Ushtria izraelite tha të mërkurën se numri i përgjithshëm i të vrarëve në Izrael ka arritur në 1.200 dhe se më shumë se 2.700 njerëz janë plagosur, si pasojë e sulmit më vdekjeprurës palestinez në historinë e Izraelit.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i të vrarëve në Rripin e Gazës është rritur në 950, ndërsa janë plagosur 5.000 njerëz, si pasojë e bombardimeve hakmarrëse izraelite, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG