Qindra policë kanë bastisur një numër pronash nëpër Gjermani, të enjten, mbi dyshimet për lidhje me grupin Hezbollah, që mbështetet nga Irani, kanë njoftuar autoritetet, teksa Berlini po vepron për të frenuar një valë antisemitizmi mes luftës Izrael-Hamas.
Bastisjet, e kryera në 54 vende, ndodhën pasi Gjermania ndaloi aktivitetet e grupit radikal palestinez, Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – dhe të organizatave të ngjashme, pas sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit, të kryer nga luftëtarët e Hamasit në Izrael.
“Ne kemi një skenë islamike para syve tanë”, ka thënë ministrja e Brendshme, Nancy Faeser.
“Në një kohë kur një numër hebrenjsh ndihen veçanërisht të kërcënuar”, Gjermania “nuk do të tolerojë propagandën islamike apo nxitjen e armiqësisë antisemitike ndaj Izraelit”, ka shtuar ajo.
Gjermania e konsideron Hezbollahun “organizatë terroriste shiite”, ndërsa më 2020 ia ka ndaluar kryerjen e aktiviteteve në territorin e saj, raporton AFP.
Operacioni i së enjtes pati për objektiv Qendrën Islamike të Hamburgut dhe pesë grupe të ndërlidhura, teksa policia bastisi prona në gjashtë prej 16 landeve të Gjermanisë, përfshirë Hamburgun, Saksoninë e Poshtme, Hesen, Berlinin, Baden-Vyrtembergun dhe Renin Verior-Vestfalinë.
Qendra Islamike e Hamburgut drejton Xhaminë e Imam Aliut, e njohur gjithashtu si Xhamia e Kaltër, ndërsa viteve të fundit janë shtuar thirrjet për mbylljen e saj nga autoritetet, për shkak të lidhjeve të dyshuara me Iranin.
E themeluar nga imigrantë iranianë më 1953, Qendra Islamike e Hamburgut është nën vëzhgimin e inteligjencës së brendshme gjermane prej vitesh.
Ministria e Brendshme beson se aktivitetet e saj kanë “për synim të përhapin konceptin revolucionar të udhëheqësve supremë [të Iranit], diçka që dyshohet se shkel rendin kushtetues të Gjermanisë”.
Nuk janë bërë arrestime gjatë bastisjeve, të cilat janë kryer për të siguruar prova mbi dyshimet se qendra në Hamburg dhe grupet e ndërlidhura i mbështesin aktivitetet e Hezbollahut.
Duke përshëndetur operacionin e 16 nëntorit, ministri i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote, ka thënë se beson se qendra “do të mbyllet në të ardhmen e afërt”.
Gjermania, sikurse fuqitë e tjera perëndimore, po punon për të parandaluar shndërrimin e luftës së Izraelit ndaj Hamasit në një konflikt më të gjerë, ku do të mund të përfshihej edhe Hezbollahu, që ka bazën në Liban.
Që prej sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi, të cilat nxitën luftën e Izraelit në Gazë, Izraeli, po ashtu, ka shkëmbyer zjarr me grupet militante, përfshirë Hezbollahun, në jug të Libanit, çdo ditë.