Policia e Kosovës tha se në orët e hershme të mëngjesit të 16 prillit kanë ndodhur dy shpërthime në Sharpej të Jarinjës, ku gjendet pikëkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.
Sipas policisë, dyshohet se shpërthimet kanë ndodhur pranë një veture të policisë, janë kryer me mjete piroteknike. Policia tha se dyshon se këto mjete shpërthyese janë hedhur “nga territori i Serbisë”.
“Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë”, thuhet në njoftim.
Ky është sulmi i pestë i raportuar në katër ditët e fundit në veri të Kosovës, pranë pikëkalimeve kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.
“Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre [dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike]. Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”, thuhet në njoftim.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më vonë gjatë 16 prillit, njoftoi se ka vizituar dy pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, si dhe vendin ku ndodhi sulmi i fundit.
"Sot kam vizituar pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, Shaptej vendi ku ka ndodhur sulmi i mbrëmshëm, si dhe në Izvor e Trebickë, ku Policia jonë kufitare mbikqyrë bllokimin e rrugëve ku më herët është zhvilluar kontrabanda. Përkundër pesë sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policor, puna e tyre po vazhdon me intensitet të njejtë e me vigjilencë të shtuar", tha Sveçla përmes një postimi në Facebook.
Sulmet në veri
Autoritetet në Kosovë më 15 prill bën të ditur se Policia e Kosovës ka qenë cak i disa sulmeve të kryera gjatë ditëve të fundit. Ministri i Sveçla, bëri të ditur se Policia e Kosovës ishte sulmuar më 15 prill, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.
“Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.
Ministri Sveçla, po ashtu ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”. Ai i ka quajtur këto sulme terroriste.
Sipas Sveçlës, sulmet e fundit janë kryer nga grupe të caktuara “të mbështetura nga Serbia”.
“Unë mendoj që qëllimi i Serbisë në këtë moment nuk është të sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë Kosovën”, ka thënë Sveçla.
Policia e Kosovës në muajin shkurt kishte njoftuar se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë. Ndërkaq, tetorin e vitit të kaluar, zyrtarët policorë kishin zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.
Sulmet e ditëve të fundit në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, u dënuan nga Ambasada amerikane në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.