Ndërlidhjet

Policia thotë se është hedhur një mjet shpërthyes afër ish-komunës paralele në Leposaviq


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Policia e Kosovës tha se pas mesnatës është hedhur një mjet shpërthyen në afërsi të objektit ku më herët gjendej komuna që vepronte sipas sistemit të Serbisë.

Në njoftimin e policisë tha se mjeti shpërthyes dyshohet të ketë qenë shok-bombë.

“Nuk raportohet për lëndime, përderisa hetimet për rastin janë duke vazhduar nga njësitet kompetente policore”, tha Policia e Kosovës.

Lista Serbe e cilëson "dezinformatë" lajmin për incidentin në Leposaviq

Lista Serbe në Leposaviq i ka cilësuar si “dezinformata dhe akuza të rreme” informacionet se në këtë komunë është hedhur një mjet shpërthyes afër ndërtesës së ish-komunës.

“Ky lajm është publikuar për të kriminalizuar dhe shënjestruar serbët dhe për të larguar vëmendjen nga fakti se [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti, po kryen veprimet e tij të dhunshme dhe të njëanshme dhe po mbyll institucionet serbe në veri të Kosovës”, u tha në reagimin e kësaj partie.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, u bëri thirrje serbëve të qëndrojnë të qetë dhe i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të kërkojë përgjegjësit për, siç tha, kryerjen e veprimeve të tilla, “në mesin e serbëve nga Leposaviqi, që ata i paguajnë”.

Njoftimi i bërë nga Policia e Kosovës për këtë incident në veri vjen një ditë pasi Policia kreu një aksion në katër komunat në veri për mbylljen e pesë komunave serbe, që vepronin sipas sistemit të Serbisë.

Gjatë aksionit të 30 gushtit, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se janë mbyllur Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Ky aksion është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ka qenë veprim i pakoordinuar.

Më herët gjatë vitit, autoritetet kosovare i mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit si, Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.

Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë prej majit të vitit të kaluar, kur ata morën mandatin nga zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga popullata shumicë serbe.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG