Ndërlidhjet

Policia zbulon tre laboratorë droge në veri, arreston dy serbë


Fotografi e shpërndarë nga Policia e Kosovës lidhur me laboratorët e drogës të zbuluar në veri të Kosovës.
Fotografi e shpërndarë nga Policia e Kosovës lidhur me laboratorët e drogës të zbuluar në veri të Kosovës.

Dy serbë janë arrestuar dhe janë zbuluar tre laboratorë droge në veri të Kosovës, bëri të ditur Policia e Kosovës më 12 shkurt.

Policia tha se të dielën realizojë operacionin antidrogë të koduar “Shpata” në tri lokacione në rajonin e Mitrovicës veri.

Sipas njoftimit, gjatë operacionit policorë janë zbuluar tre laboratorë me bimë narkotike, në dy prej të cilëve u gjetën rreth 1.200 bimë narkotike, ndërsa te njëri nuk kishte bimë narkotike, por pajisje të sofistikuara për kultivimin e tyre, tha Policia.

“Njësitet policore deri në këtë fazë kanë arritur të arrestojnë dy persona të dyshuar meshkuj serbë, përderisa të gjitha veprimet tjera policore në proces po ndërmerren dhe do të ndërmerren në bashkërendim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, tha se bashkëpronar i një prej laboratorëve është D.S, që sipas tij, ka sulmuar Policinë e Kosovës muajin e kaluar.

Ai tha se operacioni policor është realizuar në Mitrovicë të Veriut.

“Ai është pjesë e bandave që marrin urdhra nga krimi i organizuar në Serbi. Ata që mbështeten dhe mbrohen nga [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe [shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar] Petkoviq”, shkroi Sveçla.

Ministri Sveçla shtoi se këto “banda kriminale po tentojnë ta destabilizojnë shtetin tonë”.

Ndërkaq, më vonë, përmes një postimi në Facebook, ministri Sveçla tha se të tre laboratorët e drogës janë shkatërruar dhe vlera e lëndëve narkotike dhe pajisjeve ishte rreth 2.3 milionë euro.

“Profili i atyre që e ushtrojnë këtë veprimtari kriminale në veri të vendit tonë është i qartë: Paramilitarë e narkodilera”, shkroi ai, duke akuzuar Serbinë se po mbron trafikantët e drogës në veri të Kosovës.

Lista Serbe akuzon Kosovën se po politizon operacionin në veri

Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka reaguar pas operacionit policor kundër drogës në veri, duke akuzuar autoritetet në Kosovë se po mundohen që ta politizojnë atë.

Lista Serbe tha se as ata, e as Petkoviq dhe Vuçiq nuk mbështetin aktivitetet kriminale të asnjë personi, “por veprimtaria e paligjshme e një personi nuk mund të jetë arsyetim për veprimet e njësive speciale [të Policisë së Kosovës] në veri”.

Kjo parti ka hedhur poshtë pretendimet e Sveçlës se bashkëpronar i një prej laboratorëve të drogës është personi që sulmoi Policinë e Kosovës muajin e kaluar.

Më 23 janar, në Bistricë afër Leposaviqit, Policia e Kosovës kishte shtënë drejt një veture, e cila, siç u raportua, nuk ishte ndaluar për kontroll, por ka tentuar që ta shmangë postbllokun policor dhe ka goditur veturën e policisë. Në veturë ishin dy persona nga komuniteti serb, të cilët, sipas Policisë së Kosovës kanë qenë të përfshirë në mbi 100 vepra penale.

Ndryshe, edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës kishte realizuar operacione kundër drogës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në majin e vitit të kaluar, Policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë.

Po ashtu, në prill ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG