Policia e Kosovës tha se ka gjetur të hënën dy kamera me panele diellore në kufirin lindor me Serbinë, për të cila dyshon se ishin vendosur për vëzhgimin e rrugës nga kontrabandistë të dyshuar.
Në një njoftim për media të martën, Policia tha se kamerat ishin vendosur në një rrugë malore nga fshati Ranillug i Kosovës, në drejtim të fshatit Konçul të Serbisë.
Policia e ka ndaluar në vendin e ngjarjes një 30-vjeçar, me shtetësi të dyfishtë: kosovare dhe serbe, thuhet në njoftim.
"Në vendin e lartcekur, është ndaluar edhe automjeti me targa serbe me drejtues J. S., 30 vjeçar... I njëjti dyshohet se aty ka shkuar për t’u kujdesur për kamerën që veç e kishin marrë më herët njësitet policore", thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti i tij është sekuestrohet, sipas njoftimit.
Policia shtoi se i dyshuari e kishte përdorur "këtë automjet e kishte përdorur vetëm për kontrabandë të mallrave përmes rrugëve ilegale”.
Në korrik të vitit 2023, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, për arsye “sigurie”, kur tre policë të Kosovës u arrestuan nga policia serbe.
Në dhjetor, Policia e Kosovës hoqi qindra kamera në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
Paraprakisht, ajo kishte hequr kamera edhe në Kllokot, Partesh dhe Ranillug - komuna me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër.