Policia e Kosovës ka bërë të ditur se e ka arrestuar një shtetas të Rusisë në fshatin Grizhan të Zveçanit, pasi është vërtetuar se ai nuk ka hyrë në Kosovë në mënyrë të rregullt.
Arrestimi është kryer më 7 qershor, dhe është publikuar në raportin 24-orësh të Policisë.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Më 13 maj të këtij viti, Policia e Kosovës pati dëbuar dy shtetas tjerë rusë, të cilët ishin ndaluar në datën 6 të atij muaji, gjithashtu, për kalim ilegal të kufirit.
Të gjithë shtetasit rusë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, të cilët duan të hyjnë, kalojnë transit apo qëndrojnë në Kosovë, duhet të pajisen me vizë.
Ky vendim është marrë nga viti 2022.
Deri atëherë, qytetarëve rusë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare u është lejuar hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 15 ditë në territorin e Republikës së Kosovës pa vizë.
Rusia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
Megjithatë dy vendet kanë marrëdhënie formale. Zyra Ndërlidhëse ruse në Prishtinë është hapur qysh në vitin 2005, edhe pse veprimtaria e saj në publik është e shfaqur fare pak.