Ndërlidhjet

Kërkime dhe hetime intensive për policët e zhdukur


Pamje të autoriteteve duke kërkuar dy policët e zhdukur
Pamje të autoriteteve duke kërkuar dy policët e zhdukur

Për pesë ditë rresht, policia, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe mekanizmat tjerë për emergjenca kanë vazhduar kërkimet për dy policët e zhdukur pas aksidentit me veturën zyrtare në magjistralen Hani i Elezit – Kaçanik, të cilët, besohet se kanë rënë në rrjedhën e lumit Lepenc.

Deri më tani, pavarësisht kërkimeve të bëra, dy policët e zhdukur nuk janë gjetur.

Me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkimet u bënë edhe nga autoritetet në Maqedoni, pasi që dyshimet ishin se rrjedha e lumit ka mundur të bart trupat e policëve në shtetin fqinjë të Kosovës.

Ndërkohë, hetimet rreth këtij rasti po i zhvillon edhe Prokuroria e Kosovës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha për Radion Evropa e Lirë se hetimet janë duke vazhduar dhe se lidhur më këtë rast janë intervistuar disa persona në cilësi të dëshmitarëve.

“Prokuroria që nga momenti i aksidentit është duke zhvilluar hetime. Në momentin që kemi marrë informatën më datën 28 prill kemi filluar hetimet dhe ato janë duke vazhduar. Ka pasur persona të intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve. Është lëshuar urdhëresë për ekzaminimin e veturës zyrtare me të cilën janë aksidentuar policët, por ende nuk kemi pranuar ndonjë raport nga ekspertët. Do të thotë kërkimet janë duke vazhduar dhe diçka konkrete nuk ka ende”, thotë Jashari.

Rasti i policëve të zhdukur ka ngritur debat edhe në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti Rexhep Selimi nga radhët e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, ka kritikuar institucionet kompetente për mungesë të një koordinimi të nevojshëm rreth kërkimeve të dy policëve të zhdukur.

“Kërkojmë nga organet e sigurisë dhe drejtësisë që ta kryejnë detyrën dhe punën e tyre me profesionalizëm dhe përgjegjësi, të mos fshehin asgjë dhe të mos lenë asgjë pa zbuluar lidhur me rrethanat e aksidentit dhe zhdukjes së dy policëve të Kosovës. Por, deri sot trupat e policëve nuk janë gjetur me gjithë kërkimet e pareshtura, po mungon një koordinim mes faktorëve që kanë gatishmëri të ndihmojnë me punë profesionale në kërkim të trupave”, tha Selimi.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur deputetit Selimi duke thënë se kërkimi i policëve të zhdukur ka koordinim.

“E vërteta është se atje ka koordinim dhe ka vullnet për të pranuar çfarëdo përkrahje qoftë të zhytësve, qoftë të vullnetarëve”, ka thënë Haradinaj.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajit, Agim Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se kërkimet për policët e zhdukur kanë qenë të koordinuara me të gjitha mekanizmat emergjent që nga momenti kur ka ndodhur aksidenti.

“Me të marrë informatën lidhur me aksidentin e policëve më datën 28 prill të gjitha njësitet policore kanë dal në vendin e ngjarjes duke nxjerrë fakte rreth aksidentit. Deri më sot janë angazhuar të gjitha njësit relevante të Policisë së Kosovës duke përfshirë edhe koordinimin me të gjitha institucionet përgjegjëse, prokurorisë, njësiteve emergjente, FSK-së si dhe ekipe të ndryshme vullnetare. Por, fatkeqësisht deri më tani nuk është arritur të gjejmë policët e aksidentuar”, ka bërë të ditur Gashi.

Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 18 vjet më parë, deri më tani, 17 pjesëtarë të saj kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës. Policët në Kosovë vazhdojnë të punojnë pa sigurim shëndetësor dhe jetësor.

Deputetët gjatë seancës kanë shtruar nevoja urgjente për sigurim jetësor për policët e Kosovës dhe të gjithë zyrtarëve të institucioneve të sigurisë dhe emergjencave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG