Ndërlidhjet

Çfarë përmban plani i Stoltenbergut për ndihmën ushtarake për Ukrainën?


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, gjenerali Jens Stoltenberg, gjatë vizitës në Ukrainë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, gjenerali Jens Stoltenberg, gjatë vizitës në Ukrainë.

Reuters

Ministrat e Jashtëm të NATO-s të premten, më 31 maj, do të debatojnë për një paketë të mbështetjes ushtarake për Ukrainën të propozuar nga shefi i aleancës, Jens Stoltenberg, për të cilën do të pajtohen në samitin që mbahet në Uashington në korrik.

Me gjithë pasigurinë lidhur me mbështetjen amerikane në të ardhmen për Ukrainën, për shkak të mundësisë së kthimit në Shtëpinë e Bardhë të ish-presidentit Donald Trump, Stoltenberg ka propozuar që ndihma ushtarake për Ukrainën të jetë në terma afatgjatë, së bashku me një zotim financiar shumëvjeçar.

Por, 32 anëtarët e NATO-s kanë pikëpamje të ndryshme për planin. Ministrat do të kërkojnë t’i ngushtojnë këto ndarje gjatë takimit të tyre në Pragë të enjten dhe të premten.

Në këtë tekst mund të mësoni elementet kyçe të planit të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe për çështjet që do të zgjidhen para samitit që do të mbahet në Uashington nga 9 deri më 11 korrik, sipas zyrtarëve dhe diplomatëve.

Koordinimi në duart e NATO-s

Stoltenberg ka propozuar që NATO-ja të marrë përsipër koordinimin e ndihmës ndërkombëtare ushtarake për Ukrainën, duke i dhënë aleancës një rol më të drejtpërdrejtë në luftën kundër pushtimit të nisur nga Rusia. Por, plani nuk përfshin zotimin që aleanca të angazhojë forcat e veta.

NATO-ja do të merrte përsipër koordinimin e donacioneve të armëve dhe furnizimeve nga Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës – që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara – i cili është një koalicion ad-hoc i përbërë nga 50 shtete, që quhet edhe Grupi Ramshtajn, i emërtuar sipas emrit të bazës ajrore amerikane në Gjermani, vendi ku u takuan së pari anëtarët e këtij grupi.

Aleanca ushtarake perëndimore, po ashtu, do të koordinonte trajnimin e forcave ukrainase, një aktivitet në të cilin edhe Bashkimi Evropian dhe Britania janë të përfshira shumë.

Kjo lëvizje shihet gjerësisht si një përpjekje për të ofruar një shkallë “të mbrojtjes nga Trumpi”, duke vendosur koordinimin nën ombrellën e NATO-s dhe duke i dhënë stafit ushtarak të aleancës më shumë autonomi për ta kryer këtë punë dhe më pak përfshirje të drejtpërdrejtë politike.

Por, diplomatët e kanë pranuar se një lëvizje e tillë do të kishte efekte të kufizuara, pasi që SHBA-ja është fuqia dominuese në NATO dhe ofron shumicën e armëve për Ukrainën. Pra, nëse Uashingtoni do të donte që të shkurtonte ndihmën për Kievin, sërish do të ishte në gjendje që të bënte diçka të tillë.

NATO-ja, po ashtu, do të duhet ta tejkalojë rezistencën nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili e ka bërë të qartë se shteti i tij nuk do të marrë pjesë në përpjekjen e re. Ai ka argumentuar se një përpjekje e tillë do ta sillte aleancën më afër një lufte katastrofale me Rusinë.

Anëtarë të tjerë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian kanë shprehur zhgënjim me bllokimin e vazhdueshëm të ndihmës për Ukrainën nga Hungaria, teksa ata thonë se një bllokadë e tillë u shkon për shtati interesave të Rusisë.

Edhe emri i përpjekjes së re të NATO-s është i diskutueshëm. Gjermania kundërshton që të quhet “mision” nga frika se do të jepte përshtypjen se NATO-ja po hyn në luftë me Rusinë.

NATO-s i duhet t’i tejkalojë edhe shqetësimet ukrainase për vendosjen e koordinimit nën ombrellën e aleancës, pasi Kievi ka frikë se një gjë e tillë mund të trembë shtetet që janë jashtë NATO-s dhe që nuk duan të kenë të bëjnë me të.

Zotimi financiar

Stoltenberg, po ashtu, ka propozuar që aleatët të bëjnë një zotim shumëvjeçar për ndihmë ushtarake për Ukrainën, në mënyrë që shteti të mund të planifikojë më mirë dhe të dërgojë një sinjal si për Kievin, ashtu dhe për Moskën, se Perëndimi mbetet i përkushtuar për një periudhë afatgjate.

Zyrtarët kanë përmendur shumën prej 100 miliardë eurosh për pesë vjetët e ardhshëm, edhe pse Stoltenberg, publikisht nuk ka përmendur një shumë për planin e tij.

Kjo pjesë e planit është përballur me rezistencë dhe skepticizëm në mesin e disa aleatëve, të cilët kanë argumentuar se shtetet nuk mund të zotohen për shuma të tilla specifike paraprakisht, veçmas kur zgjedhjet në të ardhmen mund t’i ndryshojnë politikat karshi Ukrainës.

Edhe detaje të tjera mbeten të paqarta, për shembull se si do të llogariten kontributet nga secili shtet.

Aspiratat për anëtarësim

Në samitin e NATO-s, që u mbajt vitin e kaluar në Vilnius, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tronditi udhëheqësit e aleancës duke shprehur zemërim në mediat sociale pasi u bë e qartë se shteti i tij nuk do të pranonte ftesë zyrtare për t’iu bashkuar aleancës.

Ukraina dhe aleatët e NATO-s takohen si "të barabartë"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:54 0:00

Qëndrimi zyrtar i NATO-s është që Ukraina do t’i bashkohet një ditë aleancës, por jo në kohën kur shteti është në luftë.

“E ardhmja e Ukrainës është në NATO”, deklaruan udhëheqësit e NATO-s gjatë samitit në Vilnius.

Që atëherë, disa aleatë kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe për të dërguar armë dhe mbështetje tjetër për Kievin, në mënyrë që të ngushtojnë hendekun derisa Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s.

Por, Ukraina dhe disa nga mbështetëset e saj nga Evropa Lindore që janë pjesë e NATO-s vazhdojnë të kërkojnë që aleanca t’i japë ftesë, ose të paktën një rrugë të qartë për anëtarësim. Zyrtarët e NATO-s po diskutojnë nëse duhet që gjatë samitit në Uashington të përdorin një formulim të ri sa i përket ftesës për anëtarësim.

“Anëtarësimi i Ukrainës do të mbetet ‘elefanti në dhomë’”, tha një burim ushtarak.

Përderisa evropianët lindorë po kërkojnë që Ukrainës t’i jepet një anëtarësim i përshpejtuar, SHBA-ja dhe Gjermania udhëheqin kampin e shteteve që kërkojnë që NATO-ja të jetë më e kujdesshme në këtë drejtim.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG