Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka dënuar incidentin e 10 prillit në Zveçan, ku mbeti i plagosur një pjesëtar i komunitetit serb, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të kryejnë hetim për këtë ngjarje dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
“KFOR po vazhdon të monitorojë situatën dhe është krejtësisht i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – për të ofruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, u tha në deklaratën e misionit në Kosovë të aleancës ushtarake perëndimore.
Më 11 prill, Policia e Kosovës njoftoi se ka suspenduar katër zyrtarë policorë që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast, përfshirë edhe njërin që dyshohet se mund të ketë shtënë me armë zjarri. Pas kësaj, ata u arrestuan.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se sipas hetimeve të para, serbit që u plagos, policët i kishin dhënë sinjalin që të ndalonte, por ai me veturën e tij kishte vazhduar në drejtim të Zveçanit.
“Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J.”, ka thënë Sveçla më 11 prill përmes një postimi në Facebook.
Fillimisht, Policia e Kosovës kishte mohuar përfshirjen në këtë rast.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësimin e tij për këtë rast dhe u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të zhvillojnë hetime të besueshme.
Plagosjen e pjesëtarit të komunitetit serb e kanë dënuar anëtarët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Po ashtu, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, ka reaguar duke e cilësuar si sulm të kryer nga Policia e Kosovës.
Katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë të banuara me shumicë serbe. Kjo pjesë e vendit shpesh është vatër e tensioneve.