Ndërlidhjet

Mbyllen edhe dy pika të derivateve në veri të Kosovës


Mbyllja e një pike të derivateve në veri.
Mbyllja e një pike të derivateve në veri.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes të Tregut në Kosovë tha se ka mbyllur përkohësisht dy pika të derivateve në veri, për shkak se po operonin pa leje të shitjes me pakicë të derivateve të naftës.

Sipas njoftimit, dy pompat që u mbyllën gjendeshin në Zveçan dhe Leposaviq. Në fotografitë, që i janë bashkëngjitur njoftimit të lëshuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, shihet logoja e kompanisë NIS.

“Të gjitha subjektet që merren me tregtinë e produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme, duhet të pajisen me leje të vlefshme nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për zhvillimin e veprimtarisë së tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës”, tha MINT përmes një njoftimi për media.

Më 16 korrik 2024, Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës mbylli një pompë në Mitrovicën e Veriut dhe dy në Zubin Potok, pasi nuk kishin licencë për punë. Të gjitha pompat e mbyllura kishin logon NIS. Ato pompa të benzinës, kryesisht si trashëgimi e Jugopetrolit, janë nën kontrollin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Po atë ditë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi në llogarinë e tij në Facebook se, NIS Petrol, “damar i Gazprom-it rus”, nuk ka vend në Kosovë.

NIS është në pronësi të shumicës së Gazpromneft të Rusisë dhe kompanisë së saj ombrellë Gazprom. Autoritetet e Kosovës e konsideruan të paligjshme rinisjen e punës së NIS Petrol në veri në vitin 2016 dhe vlerësuan se ishte një përpjekje për të zgjeruar ndikimin rus në Kosovë.

Megjithatë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Qeverisë së Kosovës (MINT), më herët i tha Radios Evropa e Lirë se pompat e mbyllura ishin në pronësi të tre biznesmenëve nga veriu i Kosovës: Sllavoljub Vukoviq, pronar i kompanisë MCG-GR, Ratko Pavloviq, pronar i kompanisë SEKOS, dhe Milan Bozhoviq, pronar i kompanisë Min Prom.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG