Ndërlidhjet

Petkov: Shkupi të pranojë propozimin francez


Kryeministri bullgar në largim, Kiril Petkov. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri bullgar në largim, Kiril Petkov. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri bullgar në largim, Kiril Petkov tha të dielën se propozimi francez për zgjidhjen e kontestit me Maqedoninë e Veriut është jashtëzakonisht i mirë për Sofjen.

Petkov në një intervistë për televizionin bullgar, BTV tha se “për Maqedoninë e Veriut për momentin është shumë e vështirë të pranohen ato pozicione”, por sipas tij “ky vend duhet ta bëjë këtë dhe të zgjedhë rrugën evropiane”.

Ai tha se “do të ishte e tmerrshme nëse Shqipëria vazhdon procesin e anëtarësimit në BE dhe Maqedonia e Veriut mbetet jashtë saj”.

“Në Maqedoninë e Veriut duhet të kuptojnë se nëse duan të zhvillohen, rruga evropiane është e vetmja rrugë për atë vend”, ka deklaruar Petkov.

Propozimi francez për fillimin e negociatave me BE-në pritet të shqyrtohet javën e ardhshme nga deputetët në Kuvendin e Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha të premten, më 8 korrik, se në koordinimin e rregullt të së hënës në Kuvend, duhet të diskutohet se kur mund të mbahet seancë plenare për informimin e qeverisë për propozimin e kornizës negociuese për negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Më 30 qershor, qeveria publikoi propozimin francez për fillimin e negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, i përbërë nga tre dokumente, pas së cilës filluan protestat në Shkup ku morën pjesë mijëra qytetarë nën moton “Stop bullgarizimit të Maqedonisë”.

Protestat janë bërë nga partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe “E Majta”, të cilat propozimin e vlerësojnë të dëmshëm për interesat shtetërore dhe kombëtare maqedonase.

Partitë në pushtet kanë thënë se ky është propozimi më i mirë që garanton gjuhën maqedonase sikur edhe identitetin dhe të kaluarën historike andej edhe duhet të pranohet që Maqedonia e Veriut të mos lëshoj mundësinë për zhbllokimin e procesit integrues.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Marie Byrnes, të premten përmes një letre të hapur drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, ka bërë thirrje që të pranohet propozimin e Francës për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, gjë që do t’i hapte derën integrimit evropian.

Mesazh të njëjtë ka drejtuar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Ai tha të enjten se “propozimi francez është i përsosur”, por se e fut vendin në Bashkimin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG