Ndërlidhjet

Përurohet rinovimi i Klinikës së Onkologjisë


Shtretërit e rinj në Klinikën e porsarinovuar të Onkologjisë në Prishtinë, 20 maj 2024.
Shtretërit e rinj në Klinikën e porsarinovuar të Onkologjisë në Prishtinë, 20 maj 2024.

Rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, qendrës së vetme në Kosovë për trajtimin e pacientëve të prekur me kancer, është përuruar të hënën pas një investimi mbi gjysmë milion euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se klinika është “transformuar në mënyrë fort domethënëse për mjekët dhe infermierët... por, para së gjithash, për pacientët”.

Klinika, e cila është pjesë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, tani i ka 60 shtretër, nga 45 sa kishte para rinovimit, tha Kurti.

Shpeshherë, pacientët në këtë klinikë presin në radhë me orë të tëra për të gjetur shtrat për të marrë kimioterapi.

Numri i shtretërve do të rritet në 110 në të ardhmen, sipas kryeministrit.

Radio Evropa e Lirë raportoi verën e kaluar për dëmet e mëdha që shiu ia kishte shkaktuar kësaj klinike në gusht.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se nuk do të ketë më listë të pritjes për pacientët që kërkojnë shërbime në këtë klinikë.

“Jam shumë i lumtur që në një klinikë kaq të rëndësishme dhe jetike... pacientët tash e tutje do të marrin shërbime shumë ma cilësore, pa listë të pritej dhe me qasje në barna esenciale”, tha Vitia.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 u kontrolluan 30.000 persona në Onkologji, ndërsa janë konfirmuar 1.224 raste të reja me kancer.

Në këtë klinikë, në vitin 2022 ishin kontrolluar apo kishin marrë shërbime 47.351 persona, ndërkaq 1.736 ishin raste të reja.

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera të nevojshme për ta.

Brenda 24 orëve, aty mesatarisht marrin shërbime rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG