Shpërthimet u dëgjuan në kryeqytetin ukrainas të Kievit, teksa zyrtarët raportuan se objektet e energjisë elektrike në të gjithë Ukrainën u goditën nga sulmet me raketa ruse, që në orët e para të mëngjesit të 10 shkurtit.
Operatori i rrjetit elektrik "Ukrenerho" tha se disa objekte në Ukrainën lindore, jugore dhe perëndimore ishin goditur, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Kryetari i qytetit më të madh të Ukrainës lindore, Kharkiv, konfirmoi se infrastruktura e qytetit ishte goditur dhe paralajmëroi për ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike.
"Një seri sulmesh në Kharkiv. Armiku po synon objektet e rëndësishme të infrastrukturës. Mund të ketë ndërprerje me furnizimin me energji elektrike, ujë dhe ngrohje", tha kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov.
Sekretari i Këshillit Bashkiak të Zaporizhjas, Anatolii Kurtiev, tha se qyteti ishte goditur 17 herë në një orë. Sipas tij, kjo ishte shkalla më e lartë e sulmeve që nga fillimi i pushtimit nga Rusia më 24 shkurt të vitit 2022.
Zyrtari i qytetit të Zaporizhzhya, Anatoliy Kurtiyev, tha se qyteti ishte goditur 17 herë në një orë, gjë që ai tha se e bëri atë periudhën më intensive të sulmeve që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Sirenat dhe alarmet e sulmeve ajrore shpërthyen në pjesën më të madhe të vendit.
Analistët ushtarakë thonë se presidenti rus Vladimir Putin shpreson se mbështetja e Evropës për Ukrainën do të pakësohet, pasi Rusia besohet se po përgatit një ofensivë të re.
Luftimet në Ukrainë u intensifikuan të enjten.
Agjencia e inteligjencës ushtarake e Kievit tha se forcat ruse kanë nisur një ofensivë në rajonet pjesërisht të pushtuara të Donjetskut dhe Luhanskut, me synim kontrollin e plotë të të gjithë rajonit industrial, të njohur si Donbas.
Separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar forcat ukrainase atje që nga viti 2014.
Të enjten, më 9 shkurt, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky qëndroi në Bruksel, prej ku kërkoi armë më të avancuara nga aleatët evropianë, duke i thënë Parlamentit Evropian se vendi i tij po lufton “kundër forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne”.