Ndërlidhjet

Shtetet rrisin përpjekjet për të ndihmuar palestinezët në Gazë


Palestinezët duke ngarendur pas ndihmave humanitare të hedhura nga ajri në Qytetin e Gazës më 1 mars 2024.
Palestinezët duke ngarendur pas ndihmave humanitare të hedhura nga ajri në Qytetin e Gazës më 1 mars 2024.

Përderisa kushtet në Gazë po vazhdojnë të përkeqësohen, komuniteti global po synon të rrisë përpjekjet e ndihmës, me një anije evropiane të ndihmës që po përgatitet të niset nga Qiproja e mbushur me furnizime për banorët e enklavës të goditur nga lufta.

Komisioni Evropian tha më 9 mars se një korridor detar nga Qiproja për në Gazë mund të nisë operimin gjatë kësaj fundjave. Ky korridor është pjesë e një pilot-projekti që udhëhiqet nga organizata bamirëse World Central Kitchen, me seli në Shtetet e Bashkuara dhe që financohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Qiproja, që është shteti i Bashkimit Evropian që gjendet më afër me Gazën, është afër 15 orë lundrim nga enklava palestineze.

Izraeli tha më 8 mars se mirëpret korridorin detar, por shtoi se duhet të ketë kontrolle të sigurisë.

“Nisma qipriote do të mundësojë rritjen e ndihmës humanitare për në Rripin e Gazës, pas një kontrolli të sigurisë, sipas standardeve të Izraelit”, tha Lior Haiat, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme izraelite përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Ndërkaq, shefi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, tha se është optimist që disa donatorë do të rinisin financimin e agjencisë pas disa javësh. Fondet për këtë agjenci u pezulluan nga shumë donatorë pasi disa anëtarë të stafit morën pjesë në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit të kryer nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në prill, raporti final lidhur me një hetim i pavarur për UNRWA-në, që u lansua nga ish-ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna, pritet të bëhet publik.

Izraeli ka akuzuar 12 nga 13.000 pjesëtarët e stafit të UNRWA-së në Gazë për përfshirje në sulmin që nxiti luftën. Kjo agjenci ofron ndihmë dhe shërbime thelbësore për refugjatët palestinezë në Gazë, Bregun Perëndimor dhe në pjesë të tjera të rajonit.

Ndaraz, SHBA-ja ka deklaruar se planifikon të ndërtojë një port të përkohshëm për të dërguar ndihmë në Gazë.

Situata në Gazë është përkeqësuar dhe OKB-ja ka paralajmëruar se banorët janë pa furnizime esenciale dhe po përballen me uri.

Nga sulmi i Hamasit në Izrael u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore izraelite, në enklavën palestineze janë vrarë mbi 30.000 persona. Sipas Ministrisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG