Ndërlidhjet

Një pikë kthese në Ukrainë a një lajm i ditës


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës në qytetin Izium, pas rimarrjes nga kontrolli i forcave ruse. Shtator, 2022.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës në qytetin Izium, pas rimarrjes nga kontrolli i forcave ruse. Shtator, 2022.

Ukraina ka rikthyer mbi 6.000 kilometra katrorë të territorit të pushtuar nga forcat ruse, ka thënë presidenti i këtij vendi, Volodymyr Zelensky. Shifrat e tij nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur, por Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka pranuar se ka tërhequr forcat e saj nga disa qytete në rajonin verilindor të Harkivit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vizituar të martën e 14 shtatorit qytetin e rikthyer të Iziumit - një qendër strategjike hekurudhore.

“Është e mundur t’i pushtosh territoret e vendit tonë, por sigurisht që është e pamundur të pushtosh popullin tonë, popullin e Ukrainës”, ka thënë Zelensky.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, ka thënë se forcat ruse janë tërhequr nga disa qytete për t’u rigrupuar.

“Për t’i arritur qëllimet e operacionit të posaçëm ushtarak, për çlirimin e Donbasit, është marrë vendim për rigrupimin e trupave ruse, të stacionuara në rajonet Balaklia dhe Izium”, ka thënë Konashenkov.

Balaklia, qytet me 25.000 banorë, ka rënë nën kontrollin e forcave ruse qysh në muajin mars. Vendasit nuk kanë mundur të fshehin gëzimin kur kanë parë hyrjen e ushtrisë ukrainase në qytet.

“Kam qenë duke gatuar në shtëpi kur janë shfaqur ushtarët dhe iu kam dhënë një pjatë të madhe me ëmbëlsira”, ka thënë një vendase.

Nga arkivi i REL-it:

I fiksuar pas Ukrainës: Si erdhi deri te pushtimi?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:57 0:00

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë në fund të shkurtit. Konflikti është më i madhi në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar më shumë se 5.500 civilë të vrarë dhe mbi 6.6 milionë të zhvendosur, edhe pse numri i viktimave besohet të jetë shumë më i lartë. Humbjet ushtarake janë po ashtu të mëdha: mbi 9.000 ukrainas të vrarë dhe mbi 25.000 rusë - sipas vlerësimeve të inteligjencës perëndimore.

Në vitin 2014, Rusia ka aneksuar ilegalisht Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe nga shkurti ka marrë nën kontroll rreth 20% të shtetit fqinj. Zyrtarët ukrainas të mbrojtjes besojnë se rikthimi i territoreve në verilindje është një moment kritik për ta.

“Është absolutisht një pikë kthese në këtë luftë, sepse tregon motivimin dhe fuqinë e ushtrisë ukrainase, pavarësisht se Rusia ka ende një numër më të madh armësh”, ka thënë zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar.

Në Perëndim shprehen më të rezervuar. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se ukrainasit kanë bërë përparim të madh, por është vështirë të thuhet nëse kjo është një pikë kthese ose jo. “Unë mendoj se do të jetë një rrugë e gjatë”, ka thënë Biden.

Ngjashëm është shprehur edhe ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht.

“Është e vështirë të vlerësohet, sepse nuk e dimë se si do të reagojnë rusët. Por, padyshim, është një sukses i jashtëzakonshëm që do të kontribuojë në destabilizimin e Rusisë”, ka thënë ajo.

Analistët perëndimorë ua atribuojnë fitoret e fundit të Ukrainës taktikave të mira, planifikimit me kohë dhe moralit të lartë. Por, me gjithë përparimin, Ulrich Brueckner, profesor i shkencave politike në Universitetin Stanford në Berlin, kujton se rusët kontrollojnë ende një të pestën e territorit ukrainas dhe thotë se është herët të flitet për pikë kthese.

“Kjo është vetëm një pjesë e vogël e [tokës] së rikthyer [nën kontrollin ukrainas]. Natyrisht, çdo kilometër, çdo fshat ka rëndësi. Por, mendoj se është shumë herët të konstatohet se ky është një ndryshim i lojës, ose lufta është shndërruar në diçka që do të përfundojë vetëm me çlirimin e plotë të territorit ukrainas”, thotë Brueckner.

Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, Brueckner shton se avancimi aktual i Ukrainës mund të kalojë si lajm i ditës dhe java tjetër të duket ndryshe. Ai thotë se Rusia ka fuqi të madhe ajrore dhe se është vështirë të parashikohet nëse vrulli ukrainas do të vazhdojë apo do të qetësohet.

"Goditje Rusisë"
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:10:44 0:00

Seth Jones, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, thotë për Exposenë se sfidë për luftëtarët ukrainas, që të mbajnë këtë momentum, do të jetë logjistika - sidomos me afrimin e stinës së dimrit.

“A mund të sigurojnë ukrainasit sasi të mjaftueshme municionesh për forcat e tyre? A mund të sigurojnë sasi të mjaftueshme të naftës për automjetet? A mund të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm, batanije dhe furnizime mjekësore? Të gjitha këto janë pikëpyetje, edhe pse ukrainasit veprojnë në territorin e tyre dhe mund ta kenë më të lehtë ndoshta se forcat ruse. Gjithashtu, do të jetë e rëndësishme të shihet se si rusët do të rigrumbullohen dhe si do të kalojnë në pozicione të fuqishme. Kjo luftë nuk ka mbaruar. Megjithatë, ukrainasit u kanë dhënë një goditje afatshkurtër rusëve”, thotë Jones.

Sipas analistëve, kjo është disfata më e keqe e forcave ruse që prej tërheqjes së tyre nga Kievi në fillim të prillit. I pyetur nëse rusët do të jenë në gjendje të rigrupohen së shpejti dhe të kundërsulmojnë në verilindje të Ukrainës, Jones përgjigjet:

“Rusët kanë ushtri relativisht të madhe. Ajo është dobësuar në mënyrë të konsiderueshme, por vazhdon të ketë sasi të mjaftueshme artilerie, edhe pse jo shumë precize. Nëse rusët marrin ndihmë jo vetëm nga Irani dhe Koreja e Veriut, por edhe nga Kina, do të jetë një dinamikë interesante”.

Rusia është nën sanksione të fuqishme të Perëndimit, i cili Ukrainën, në anën tjetër, e ndihmon me armatim. Ka pasur raporte se shumë ushtarë rusë kanë braktisur tanket, automjetet e blinduara dhe municionet, derisa kanë ikur nga qytetet e çliruara.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është në dijeni për gjithçka që është duke ndodhur, por nuk ka komentuar kundërofensivën ukrainase.

Nga fillimi i luftës ka pasur frikë se Putin, nëse ndihet i humbur, mund të kalojë në taktika më ekstreme, si përdorimi i armëve kimike ose i armëve taktike bërthamore. Ai e ka vënë arsenalin e tij bërthamor në gjendje gatishmërie që në ditët e para të luftës, por nuk ka pasur ndonjë shenjë të lëvizjes.

Seth Jones, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se, ditëve të fundit, ka monitoruar publikun rus dhe se disponimi atje duket i përzier.

“Disa kanë folur hapur për negociata, disa kanë ngritur dyshime nëse fushata ushtarake ruse mund të dalë fitimtare. Por, ka të tjerë, sidomos nga radhët nacionaliste që kanë bërë thirrje për hapa më drastikë të mobilizimit të forcave ruse. Disa kanë folur për përdorimin e armëve kimike, biologjike dhe potencialisht të armëve teknike bërthamore. Pra, tani po ecim në një territor të rrezikshëm”, thotë Jones.

A ka shanse që palët ndërluftuese të ulen dhe të bisedojnë? Përgjigjet Ulrich Brueckner, nga Universiteti Stanford në Berlin:

“Bisedimet do të jenë e vetmja zgjidhje. Këtu nuk do të ketë zgjidhje ushtarake. Ato, thjesht, janë të vështira për t’u menduar. Sepse, nëse Ukraina e dëbon Rusinë, kjo do të ishte një humbje masive, do të ishte fundi i regjimit të Putinit dhe ai nuk mund ta përballojë këtë. Ajo që mund të negociohet potencialisht, është armëpushimi, por jo diçka që mund të llogaritet si zgjidhje e qëndrueshme, që do ta sillte edhe Perëndimin në pozicion për t’iu dhënë fund sanksioneve dhe për të gjetur një marrëdhënie të re të lumtur me Rusinë”.

Lufta është në muajin e shtatë dhe asnjëra palë nuk duket e gatshme për bisedime. Suksesi ushtarak i Ukrainës, në anën tjetër, është i lidhur ngushtë me dërgesat e armëve nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane. Vetëm Uashingtoni ka dërguar më shumë se 5 miliardë dollarë pajisje ushtarake në Kiev që nga fillimi i luftës. Por, sa më shumë që zgjat lufta, analistët thonë se aq më të mëdha janë gjasat që në Perëndim të çahet uniteti kundër Rusisë, sepse rritja e çmimeve të energjisë dhe inflacionit mund t’i detyrojë politikanët perëndimorë të fokusohen në frontin e brendshëm. Andaj, çdo parashikim për rrjedhën apo dinamikën e luftës është i rezervuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG