Janë bërë 14 ditë që kur përmbytjet katastrofike nxitën një valë balte në Spanjën lindore, që la më shumë se 200 njerëz të vdekur dhe dëmtoi mijëra shtëpi. Skenat apokaliptike të dokumentuara nga fotografët e AP-së flasin për fuqinë e natyrës të shpalosur me gjithë vrullin e saj.
Një lumë i egër balte i porsalindur i zuri mijëra njerëz në befasi, hodhi makinat si të ishin lodra dhe shkatërroi ndërtesat afër brigjeve të kanalit normalisht të thatë, tashmë të zgjeruara nga shembja dhe të rreckosura.
Të mbijetuarit thonë se u deshën vetëm 15 minuta që një kanal kullues që dikur ishte i zbrazët, të mos mund të përpinte sasinë e madhe të ujërave. Autoritetet rajonale nuk arritën ta paralajmëronin popullsinë me kohë. Në disa vende nuk kishte as reshje shiu, kështu që njerëzve as që u kishte shkuar mendja të përgatiteshin për valë përmbytjeje, gjë që e zmadhoi kaosin.
Dy javë pas, rrugët duken sikur në mesjetë, të mbuluara nga shtresa balte që fshehin trotuaret ose kalldrëmet. Gjithçka në katet e para u kthye në mbeturina në pak minuta kur uji shpërtheu në shtëpi. Mobiliet, veshjet, lodrat, fotot, objektet e trashëgimisë ... vala nuk kurseu asgjë.
Derisa mijëra trupa dhe përforcime policore po punojnë që të largojnë automjetet e panumërta të shkatërruara, janë të shumtë vetë njerëzit, banorët por dhe vullnetarët që hyjnë në këmbë për të ndihmuar.
(Përgatiti: Syzanë Paçarizi)