Ndërlidhjet

Perëndimi akuzon Bjellorusinë për rrëmbim të aeroplanit


Pasagjerët në avionin e devijuar nga Bjellorusia tregojnë se çfarë ndodhi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:42 0:00

Pasagjerët në avionin e devijuar nga Bjellorusia tregojnë se çfarë ndodhi

Liderët e Bashkimit Evropian, të cilët pritet të mbajnë një samit më 24 maj, kanë paralajmëruar për hapa ndëshkues kundër Bjellorusisë, për shkak të devijimit të detyruar dhe uljes së një avioni të kompanisë Ryanair në Minsk, në të cilin gjendej një gazetar i shquar opozitar.

Autoritetet bjelloruse kanë aktivizuar një aeroplan ushtarak për të përcjellë aeroplanin civil, i cili ka qenë në rrugë në Vilnius nga Athina më 23 maj, për atë që në fund doli të ketë qenë alarm i rremë për bombë.

Kur aeroplani është ulur, policia ka ndaluar Raman Pratasevich, 26-vjeç, aktivist opozitar dhe gazetar, i cili përballet me akuza në Bjellorusi, për të cilat mund të mbetet 15 vjet në burg.

Policia duke arrestuar gazetarin, Roman Protasevich. Minsk, 26 mars, 2017.
Policia duke arrestuar gazetarin, Roman Protasevich. Minsk, 26 mars, 2017.

Zyrtarët e BE-së dhe qeveritë perëndimore kanë dënuar incidentin, duke e konsideruar rrëmbim të sponsorizuar nga shteti të fluturimit komercial.

Disa prej tyre kanë bërë thirrje për sanksione të reja kundër udhëheqësit autoritar, Alyaksandr Lukashenka, i cili ka shtypur disidentët në këtë shtet prej zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në fund të gushtit të vitit të kaluar.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Ryanair, Michael O'Leary ka thënë në një intervistë për radion Newstalk më 24 maj, se incidenti “përbën rrëmbim të sponsorizuar nga shteti”.

“Gjatë kryerjes së këtij akti detyrues, autoritetet bjelloruse kanë rrezikuar sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit”, ka thënë shefi për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell, në një deklaratë të lëshuar më 24 maj, në emër të bllokut, teksa ka bërë thirrje për hetime ndërkombëtare për të analizuar “ndonjë shkelje të rregullave ndërkombëtare të aviacionit”.

“Kjo është një tjetër përpjekje e autoriteteve bjelloruse për të heshtur zërat opozitarë. Ne bëjmë thirrje për lirim të menjëhershëm të Pratasevich,” ka shtuar ai.

Një zyrtar i lartë i BE-së, duke folur në kushte anonimiteti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se veprimet potenciale mund të përfshijnë pezullimin e fluturimeve të kompanive të bllokut evropian mbi Bjellorusi, ndalimin e kompanisë ajrore të shtetit bjellorus Belavia që të ulet në aeroportet e BE-së si dhe të pezullojë udhëtimet transit nga Bjellorusia në BE.

Liderët e BE-së po ashtu pritet që të nisin hetimet nga ana e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, që më herët e ka përshkruar incidentin si shkelje të rregullave ndërkombëtare të udhëtimit ajror, sipas Konventës së Çikagos.

Agjencia shtetërore e lajmeve bjelloruse BeITA ka raportuar se Lukashenka ka urdhëruar personalisht që aeroplani ushtarak MiG-29 të përcjellë aeroplanin që të aterojë në Minsk.

Zyrtarët kanë thënë më vonë se në aeroplan nuk janë gjetur lëndë shpërthyese. Agjencia e lajmeve RIA Novosti ka raportuar më 24 maj se Bjellorusia ka mundur që të japë rekomandime se çfarë do të duhej të bënte ekipi në aeroplan dhe jo që bënte ulje të detyrueshme.

Pratasevich dhe e dashura e tij Sofia Sapega, janë ndarë sapo kanë arritur në Minsk dhe janë marrë nga policia.

Ryanair ka thënë se aeroplani ka arritur në mënyrë të sigurt në Vilnus pas disa orëve vonesë.

Por, pasagjerët janë ankuar për gjithë këtë situatë.

“Ne jemi shumë të lodhur. Kemi qenë për tetë orë atje. Nuk kemi marrë informacion çfarë ka ndodhur, vetëm çfarë kemi gjetur në internet. Jemi ulur aty pa informacion”, ka thënë një pasagjer.

Vendndodhja e dy të ndaluarve nuk është bërë e qartë, mirëpo presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda ka thënë në një konferencë për media se vajza që ka shoqëruar gazetarin nuk është kthyer në fluturimin nga Minsku në Vilnus.

“Sjellja joligjore e regjimit në Bjellorusi do të ketë pasoja. Ata që janë përgjegjës për rrëmbim të aeroplanit duhet të sanksionohen”, ka thënë shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, përmes një postimi në Twitter.

Tom Tugendhat, udhëheqës i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin britanik ka thënë se incidenti “është rrëmbim dhe lidhet me kidnapim”, duke shtuar se ndaj regjimit të Lukashenkas duhet të vendosen sanksione të ashpra.

Qeveria në Irlandë, ku ka selinë kompania Ryanair, e ka përshkruar incidentin si “absolutisht të papranueshëm”, dhe ka thënë se “mosveprimi nga BE-ja do të konsiderohet dobësi në Bjellorusi”.

Bashkimi Evropian veçse ka sanksionuar Bjellorusinë dhe ka qenë duke përgatitur raundin e katërt të sanksioneve edhe para se të ndodhte incidenti i fundit.

Bjellorusia është përfshirë në protesta prej kur Lukashenka, i cili është në pushtet nga viti 1994, është shpallur fitues i zgjedhjeve të mbajtura në gusht të vitit 2020.

Perëndimi dhe opozita bjelloruse besojnë se zgjedhjet janë manipuluar.

Prej atëherë, më shumë se 30,000 persona janë ndalur, qindra janë rrahur dhe torturuar.

Devijimi i fluturimit në mes të dy vendeve anëtare të BE-së dhe ndalimi i Pratasevich është kritikuar nga zyrtarët amerikanë.

Ambasadorja amerikane në Bjellorusi, Julie Fisher e ka quajtur uljen e detyrueshme të aeroplanit si “përbuzje” të komunitetit ndërkombëtar.

“Mashtrimi për kërcënim me bombë dhe dërgimi i një aeroplani ushtarak drejt aeroplanit të Ryainair për të arrestuar gazetarin e kanalit Nexta për akuza të motivuara politikisht, është gjë e rrezikshme dhe e neveritshme”, ka thënë ajo në Twitter.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se SHBA-ja mbështet hetimet ndërkombëtare dhe është duke u koordinuar me BE-së, Lituaninë dhe Greqinë, për t’u përgjigjur ndaj incidentit të fundit.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër devijimin e detyrueshëm të një fluturimi mes vendeve të BE-së dhe arrestimin e gazetarit Raman Pratasevich në Minsk. Ne kërkojmë lirimin e tij të menjëhershëm”, ka thënë ai në një deklaratë.

NATO-ja e ka quajtur incidentin “serioz dhe të rrezikshëm” dhe ka kërkuar hetim ndërkombëtar.

Pratasevich ka qenë administrator i kanalit NEXTA Live në Telegram, platformë që ka mbuluar protestat që kanë shpërthyer në Bjellorusi prej mbajtjes së zgjedhjeve.

Autoritetet bjelloruse kanë nisur hetimet ndaj Pratasevich dhe kolegut të tij Stsyapan Putsila, në muajin nëntor, nën dyshimet për organizim të çrregullimit masiv, prishjes së rendit shoqëror dhe nxitjes së urrejtjes shoqërore.

Në tetor të vitit të kaluar, një gjykatë në Minsk e ka shpallur kanalin NEXTA dhe logon e tij si ekstremiste.

Duke iu frikësuar persekutimit Pratasevich dhe Putsila kanë ikur nga shteti dhe nuk ka qenë e ditur vendndodhja e tyre.

Mediat në Bjellorusi janë shënjestruar nga Qeveria e Lukashenkas në shtypjen e vazhdueshme të protestave.

Organizata Reporterët pa Kufij e ka shpallur Bjellorusinë si një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG