Pasi Qeveria e Bosnje e Hercegovinës u zotua se do të kalojë në energji të gjelbër deri më 2050, minatorët e qymyrit thonë se komunitetet e tyre do të shkatërrohen nga mbyllja e minierave.
Më 23 nëntor, 6,800 minatorë protestuan në rrugët e Sarajevës, për të kundërshtuar, atë që ata e quajtën, përkeqësim të shpejtë të kushteve të punës dhe zvogëlim të pagave.
Por, fuqia e minatorëve të Bosnjës për të negociuar, mund të zbehet.
Brenda tri dekadash, të gjitha minierat e Bosnjës që operojnë me qymyr dhe të gjitha termocentralet që prodhojnë energji elektrike përmes djegies së qymyrit, do të mbyllen. Ky ishte një prej premtimeve që Qeveria bëri në nëntor të vitit 2020, në mënyrë që arrijë një prej qëllimeve të vendosura nga BE-ja në rrugën e Bosnjës drejt bllokut evropian.
Ballkani Perëndimor ka një prej niveleve më të këqija të ndotjes së ajrit në Evropë. Gjatë ditëve të dimrit, tymi që del nga oxhaqet e shtëpive dhe nga termocentralet në qymyr, krijon re të dendura mbi disa qytete, në të cilat është shumë e vështirë të merret frymë edhe brenda shtëpive.
Por, minatorët thonë se synimet agresive të vendosura në zotimet e Qeverisë për tranzicionin në energji të gjelbër, që do të boshatisin qytetet, që për gjenerata të tëra janë varur nga minierat e qymyrit.
Armell Jekalloviq, që mbikëqyr operacionet në minierën në Breza, thotë për AFP-në se “kjo situatë rreth tranzicionit na brengos”.
Jekalloviq, 36 vjeç, thotë se ai dhe kolegët e tij që punojnë në këtë minierë historike, janë “të vetëdijshëm” për presionin që vjen nga BE-ja që Bosnja të kalojë në energji të ripërtërishme, por shton se “ne duam të jemi të bindur se kjo do të ndodhë në një mënyrë të arsyeshme. Ne nuk duam që të na thonë ‘miniera po mbyllet sot’”.
Në fillim të vitit 2021, Elektroprivreda, kompania shtetërore e energjisë në Bosnje dhe Hercegovinë, njoftoi se do të shkurtojë stafin nga 7,200 në 5,200 punëtorë gjatë tre vjetëve të ardhshëm. Kjo lëvizje është në kuadër të përpjekjeve të heqjes dorë nga përdorimi i qymyrit. Ky njoftim rriti pakënaqësitë dhe çoi në grevën dhe protestën e 23 nëntorit.
Shumica e energjisë elektrike në Bosnje prodhohet nga termocentralet me qymyr dhe zotimi që deri më 2050 të mbyllet kjo industri po krijon terrenin për ndryshime dramatike në aspektin ekonomik dhe kulturor.
Bosnja ka rezerva relativisht të mëdha të qymyrit që do të ishin të mjaftueshme për ta mbajtur vendin për më shumë se 250 vjet. Në industrinë e minierave, direkt të punësuar janë mbi 17,000 persona dhe ata mbështesin edhe shumë vende të punës që janë të ndërlidhura me këtë industri.
Denis Zisko, koordinator i një programi për ndryshimet klimatike në Bosnje, thotë se zhdukja graduale e industrisë së qymyrit është e pashmangshme, pavarësisht synimeve që shteti ka vendosur për energjinë e gjelbër.
“Ky është realiteti”, thotë ai për AFP-në, duke shtuar se “nuk varet nga politika, kjo është krejtësisht ekonomike”. Industria e qymyrit në Bosnje mbështetet nga subvencionet shtetërore, që mundësojnë që çmimet për konsumatorë të jenë të ulëta.
Por, Edin Delliq, profesor në Fakultetin e Minierave dhe Gjeologjisë në Tuzlla, thotë për AFP-në se revolucioni energjetik që është paraparë të ndodhë në Bosnje, është i “ngutshëm” dhe kjo sipas tij dëshmohet edhe me emetimin relativisht të ulët të karbonit në Bosnje, krahasuar me shtetet e tjera, siç është Kina.
“Bosnja është një lojtare e vogël në këtë skenë, por mund të ketë pasoja shumë të mëdha ekonomike”, thotë Delliq.