Përdorimi i antibiotikëve, shpeshherë pa nevojë, ka bërë që rezistenca ndaj tyre të konsiderohet si sfida kryesore globale e shëndetësisë në shekullin XXI, thotë mikrobiologu Lul Raka.
Ai shton se në këtë mes nuk bën përjashtim Kosova, ku mikroorganizmat, indikatorë të rezistencës ndaj këtij ilaçi, janë dy deri në pesë herë më të lartë sesa mesatarja evropiane për të gjithë antibiotikët e krahasuar.
“Rezistenca antimikrobike është sfidë edhe për shëndetësinë kosovare. Problemet më të mëdha të kësaj fushë në vendin tonë janë: përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve, shitja në barnatore pa recetë të mjekut dhe presioni nga kompanitë farmaceutike”, thotë Raka.
Ndryshe, Kosova ka ligj që e ndalon blerjen e barnave pa recetë, por ky ligj nuk është zbatuar asnjëherë. Kështu thotë kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi. Sipas tij, përderisa në vend vazhdon dhënia e antibiotikëve pa recetë nëpër barnatore, kjo paraqet shqetësim të madh. Ai shtoi se viti 2020 është konsideruar si vit me përdorim të shtuar të antibiotikëve të përshkruar, por edhe të papërshkruar nga mjekët.
“Ka disa vite që Kosova i raporton të dhënat rreth konsumit të antibiotikëve në Organizatën Botërore të Shëndetësisë e që është rrjeti i rezistencës antimikrobike dhe po ashtu bëhen analizat e rezistencës, pra punohet në dy drejtime në konsum dhe në regjistrim mikrobike. Sipas të dhënave që nga viti 2002, kemi pasur një rënie në përdorim, por nuk ka qenë rënie e kënaqshme. Në vitin e fundit është shtuar përdorimi, sidomos në kohë pandemie, që kanë treguar disa të dhëna premtuese të pacientëve, por që këto të dhëna nuk janë përmbledhur që të shihet saktë efekti”, tha Jakupi.
Në përpjekje që të zbatohet ligji përkatës, i cili ndalon shitjen e barnave pa udhëzim apo recetë të mjekut, Ministria e Shëndetësisë ka miratuar një plan veprimi për ‘Rezistencën Antimikrobike’, i cili do të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjitha spitalet publike, partnerët shëndetësorë, veterinarë e mjedisorë, për të ulur rezistencën ndaj antibiotikëve dhe për të rritur sigurinë shëndetësore të popullatës.
Por, mikrobiologu Raka shton se përkundër përpjekjeve për të ulur përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve, ka pasur pak rezultat.
“Nga viti 2011 deri sot, Kosova ka shënuar një ulje të ndjeshme në konsumin total të antibiotikëve në vlerë prej 25 për qind. Megjithatë, ende jemi ndër shtetet me përdorimin më të madh të cefalosporinave, e sidomos të antibiotikut ceftriakson”, tha ai.
Në pandemi rritet përdorimi i antibiotikëve
Përdorimi i antibiotikëve gjatë pandemisë ka shënuar rritje në gjithë globin. Në disa raste të rralla 4-8 për qind në komunitet e deri në 15 për qind në njësitë e kujdesit intensiv, mund të ketë bashkëinfeksion të COVID-19 me infeksione tjera bakterore, ose infeksion sekondar me baktere e fungje, në të cilat kërkohet trajtim me antibiotikë.
Arsyetimi tjetër i përdorimit empirik të antibiotikëve gjatë pandemisë është në kapacitetet e mangëta diagnostike të cilat e shtyjnë mjekun ta mbulojë pacientin edhe me terapi me antibiotikë. Shkalla e përdorimit të antibiotikëve në disa studime shkon prej 60-90 për qind, tha Lul Raka.
Ndërkaq, farmacistët në vend thonë se me gjithë blerjen e madhe të antibiotikëve pa recetë, ndër vite ka pasur një vetëdijesim të qytetarëve dhe shitja e tyre ka shënuar rënie.
Shkumbin Jusufi farmacist, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se rritje të shitjes së antibiotikëve ka pasur gjatë kohës së pandemisë.
“Ka disa vite që ka një rënie. Por, në kohën e pandemisë po kërkohet sidomos një lloj antibiotiku ‘Azomicin’, e që kemi pasur raste që e kërkojnë pacientët edhe pa recetë. Ky lloj antibiotiku është i rrezikshëm të merret pa recetë. Ndonëse shumica për këtë lloj vinë me recetë të mjekut. Ndryshe, në përgjithësi është ngrit vetëdija e pacientëve, po ka ende që kërkojnë pa recetë”, tha ai.
E qytetarët thonë se pa ndonjë problem në barnatore blejnë antibiotikë. Njëra nga to është Arlinda Shala, qytetare nga Prishtina, e cila tregon se ka problem me anginë në fyt dhe shpesh përdor antibiotik, por që atë e merr jo gjithmonë me recetë.
“Po kom pas rast kur kam blerë antibiotik pa recetë. Gjatë kohës së pandemisë unë nuk kam dashur të shkoj te mjeku, pasi problemin me fyt e kam kronik, më bëhet anginë dhe vetëm shkoj e marrë antibiotikun, pasi e di se cilin antibiotik ma përshkruajnë dhe shkoj e blej të njëjtin në barnatore”, tha ajo.
Megjithëkëtë, Raka shton se rezistenca antimikrobike është një ndër sfidat kryesore globale të shëndetit publik që përcillet me shkallë të lartë të sëmundshmërisë, vdekshmërisë dhe kostos. Në Evropë, barra e infeksioneve nga mikrobet rezistente është e barabartë me gripin, tuberkulozin dhe HIV/AIDS së bashku.
Facebook Forum