Ndërlidhjet

Mospërditësimi i regjistrit të pedofilëve është hap prapa për Maqedoninë e V.


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Organizatat që në fokus kanë të drejtat e fëmijëve theksojnë se përditësimi i regjistrit të pedofilëve bëhet ngadalë dhe nuk arrin të sjellë rezultatet e pritura.

Për ta problematike mbetet dhe ulja e dënimit për personat që kryejnë veprën penale dhe akte të tjera seksuale me fëmijë nën moshën 15-vjeçare.

Këto vërejtje i argumentojnë me faktin se në regjistrin e pedofilëve akoma nuk figuron rasti i abuzimit të vajzës 9 vjeçe nga ana e fqinjit të saj 81-vjeçar nga Shkupi, banor i lagjes Kisella Vodë, të cilit më 6 tetor iu caktua masa e paraburgimit pasi dyshohet se ka kryer veprën “akte të tjera seksuale me fëmijë nën moshën 15-vjeçare”.

Këto organizata thonë se në regjistrin e pedofilëve duhet të futen të gjithë personat në momentin që nis procedura gjyqësore ndaj tyre dhe jo të pritet vendimi përfundimtar i gjykatave.

Nga ambasada e parë për fëmijë “Megjashi”, në Shkup, thonë për Radion Evropa e Lirë (REL) se regjistri i pedofilëve, përkatësisht mosplotësimi e kohë i kësaj faqeje ku shfaqen personat e dënuar në një listë transparente në internet, nuk ka arritur të ulë numrin e fëmijëve viktima të pedofilisë.

“Regjistri nuk ka ndihmuar aq sa kemi pritur. Përkundrazi, ai përkeqësoi strukturën tashmë të pambrojtur të fëmijëve që zakonisht janë viktima të të afërmve, miqve dhe shumë shpesh edhe të familjes. Ky regjistër e vështirësoi edhe më shumë situatën pasi fëmija viktimë duhet të dëshmojë publikisht se çfarë i ka bërë babai, xhaxhai apo daja, i cili më pas duhet të publikohet në internet dhe kështu targetohet e gjithë familja”, thotë për REL-in Dragi Zmijanac, nga “Megjashi” në Shkup.

Regjistri i pedofilëve me informacione për personat që janë ose kanë qenë të dënuar për pedofili në Maqedoninë e Veriut funksionon tashmë 11 vjet.

Ky regjistër përmes shfaqjes publike të personave që abuzojnë seksualisht me fëmijët e mitur, nga viti 2012 synon të parandalojë lëvizjen e tyre në afërsi të fëmijëve.

Kontrolli i regjistrit mund të bëhet me emër dhe mbiemër, adresë ose qytet në të cilin publikohen fotografitë e të dënuarve, vendbanimi dhe dënimi që kanë marrë.

Por Rita Beadini, aktiviste për të drejtat e grave, thotë për REL-in se regjistri është një e arritur sado e vogël teksa shton se duhet bërë më shumë që ai të jetë i dukshëm dhe të përditësohet në kohë.

“Ky regjistër sado që nuk ka funksionuar si duhet, pasi disa herë nuk ka qenë funksional, gjë që e bën të vështirë qasjen deri tek ai që të merren informacione po nga ky regjistër, megjithatë ne jemi një hap para si shtet me instalimin e këtij regjistri, pasi jo çdo shtet e posedon atë”, konsideron ajo.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e cila është përgjegjëse për këtë regjistër, theksojnë se janë duke punuar që bëhen ndryshime në mënyrë që ligji për regjistrat të jetë në harmoni me ndryshmet e bëra të Kodi Penal në fillim të këtij viti.

Me ndryshimet e fundit të Kodit Penal, në shkurt të këtij viti, nocioni i mëhershëm juridik “Sulm seksual ndaj të miturit nën 14 vjeç” është zëvendësuar me veprën re penale “Përdhunim i fëmijës nën 15 vjeç”.

Ndryshimet në Kodin Penal parashohin uljen e dënimeve për abuzuesit me fëmijët. Nëse aktet e tjera seksuale ndaj një të mituri nën moshën 14 vjeç më herët dënoheshin me të paktën 12 vjet burgim, tani dënimi minimal është 8 vjet burgim.

Lidhur me këtë Rita Beadini vlerëson rritjen e moshës së personave të abuzuar ndërkohë për të problematike mbetet ulja e dënimit.

“Me ndryshimet e fundit të Kodit Penal, sidomos uljen e dënimit për pedofilët, është një hap prapa për shtetin tonë. Përfundimisht mendoj se duhet të merret më seriozisht çështja e pedofilisë në vendin tonë pasi është një fenomen, edhe pse nuk flitet mjaftueshëm dhe nuk denoncohet mjaftueshëm në institucionet tona”, shton Beadini.

Organizatat për të drejtat e fëmijëve theksojnë se sfidë mbetet mbrojtja kibernetike e fëmijëve pasi pedofilët nuk paraqesin vetëm rrezik nga afërsia fizike, por abuzuesit viktimat i shënjestrojnë përmes rrjeteve sociale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG