Ndërlidhjet

Për një vit u lindën 65 foshnje nga nënat nën moshën 18-vjeçare


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Lindjet e foshnjave nga nënat nën moshën 18-vjeçare, po bëhet një dukuri mjaft shqetësuese në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2018, në Klinikën Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë lindur 65 foshnje nga nënat e moshës jo madhore. Derisa gjatë vitit 2017, ishin regjistruar 35 lindje nga nënat nën moshën 18-vjeçare. Kjo dukuri, ka shënuar rritje vit pas viti, ngaqë në vitin 2016, ishin shënuar 22 raste të lindjeve të tilla.

Drejtoresha në Klinikën Gjinekologjike, Myrvete Paçarada,thotë për Radion Evropa e Lirë se ndonëse është rrezik për jetën e nënave që të lindin fëmijë në moshë jo madhore, nuk ka ndodhur asnjë rast i vdekjes.

“Si profesionistë shëndetësorë, jemi kundër asaj që nënat të lindin nën moshën 18-vjeçare, për shkak të rreziqeve që i kanosen nënës së re. Është mirë që nëpër shkolla, institucione, të apelohet për planifikim familjar, të përdorin kontraceptivë, në mënyrë që familja të planifikohet mbi moshën 18-vjeçare”, thotë Paçarada.

Në shkollat e Kosovës nuk ka lëndë për edukatën seksuale. Profesionistë të kësaj fushe e shohin si të nevojshme futjen e kësaj lënde brenda kurrikulës.

Fehmi Krasniqi, koordinator për shkenca natyrore në Ministrinë e Arsimit Shkencës e Teknologjisë, njëherësh hartues i rezultateve për edukatë seksuale si ekspert në UNFPA, thotë se futja e lëndës Edukatë seksuale në shkolla, është e domosdoshme. Sipas tij, për këtë lëndë janë duke u trajnuar mësimdhënësit.

“Për të filluar një lëndë për edukatë seksuale, për një vit duhet të jetë në formë eksperimentale. Nëse tregohet rezultat, mund të vazhdohet si lëndë. Tashmë është filluar me udhëzues dhe i kemi futur në klasa. Nga 2 deri në 6 orë janë mbajtur ligjërata dhe jemi duke i trajnuar mësimdhënësit për këtë lëndë''.

''Ky program është nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe në grup janë dy mjekë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe tre zyrtarë të Ministrisë së Arsimit nga lëmi i kësaj fushe. Pra, kjo ka filluar si lëndë e integruar në tri lëndë, në Biologji, Edukatë qytetare dhe Edukatë fizike. Por, a do të mund të hyjë si lëndë e veçantë, mbetet të merret vendimi politik nga Qeveria. Mendoj se është një nga lëndët më të nevojshme’’, shprehet Krasniqi.

Për shkak të mungesës së lëndës së Edukatës seksuale në Kosovë, tri studente nga Fakulteti i Psikologjisë janë bërë bashkë dhe kanë krijuar një aplikacion të quajtur "Shnet", në mënyrë që t'i ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre që të informohen për trupin dhe seksin.

*Video nga arkivi: Shnet, aplikacioni i parë në Kosovë për edukatën seksuale

Shnet, aplikacioni i parë në Kosovë për edukatën seksuale
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:53 0:00

Dea Rexhepi, është njëra nga themelueset e këtij aplikacioni. Ajo thotë se ky aplikacion po përdoret nga të rinjtë dhe e komenton si të suksesshëm, marrë parasysh numrin e shkarkimeve që po i bëhet kësaj platforme.

“Si aplikacion, ka pasur shumë sukses. Këtë e masim përmes numrit të shkarkimeve të aplikacionit, por po ashtu edhe prej pyetjeve që bëjnë të rinjtë edhe të rejat si në rrjetet sociale, po ashtu edhe nga shkollat”, thotë Rexhepi.

Megjithëkëtë, ajo shton se lënda e Edukatës seksuale nëpër shkollat e Kosovës, do të ishte shumë e nevojshme.

“Unë mendoj se duhet të jetë si pjesë e kurikulës në shkolla, lënda e Edukatës seksuale. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse ne e kemi bërë aplikacionin ‘Shnet’ si mungesë e lëndës adekuate, sepse në shoqërinë tonë kemi hasur në vështirësi për të marrë informatat e sakta për edukatën seksuale. Andaj, mendoj që lënda do të ishte ideja më e mirë për t'i ndihmuar të rinjtë sa i përket edukatës seksuale dhe shëndetit reproduktiv”, shprehet Rexhepi.

Mësime në lidhje me edukatën seksuale, trupin dhe gjininë aktualisht ka edhe në tekstet ekzistuese shkollore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG