“Çmimet rriten për çdo ditë, as që bëhet fjalë për një jetë me dinjitet për pensionistët”, thotë për Radion Evropa e Lirë pensionisti nga Maqedonia e Veriut, Nikolla Trajkovski, 66 vjeç.
Ai shprehet i zhgënjyer që këtë muaj nuk e ka marrë pensionin me rritje lineare prej 3500 denarësh (rreth 60 euro), por vetëm 600 denarë shtesë, aq sa është rritja për pensionet minimale për 5.3 për qind.
“Po si pensionist mund të them se e kam shumë vështirë. Vetëm 600 e ca denarë më është rritur pensioni së fundmi. Me këtë rritje nuk mund të shlyej faturat dhe ilaçet. Po mos të jenë fëmijët, nuk di si do t’ia dilja i vetëm. Do të protestoj derisa të realizohet kërkesa jonë për rritje lineare të pensioneve, pasi dua të kem një pleqëri me dinjitet”, thotë Trajkovski, i cili është pjesë e Lidhjes së Pensionistëve në Maqedoninë e Veriut.
Nga Lidhja e Pensionistëve theksojnë se krahas protestës para institucioneve maqedonase, do të protestojnë edhe para Ambasadës amerikane dhe Zyrave të Bashkimit Evropian në Shkup, për të shprehur pakënaqësinë e tyre.
Pensionistët tani kërkojnë që të ketë rritje lineare të pensioneve jo për 3500 denarë (57 euro), por 5000 denarë (rreth 8o euro) pasi thonë se kostoja e jetesës ka shënuar rritje të theksuar.
Për pensionistët në Maqedoninë e Veriut mbetet e papranueshme rritja prej 5.3 për qind, derisa inflacioni gjatë muajit gusht në vend ka shënuar rritje prej 8.3 për qind, kurse gjatë vitit të kaluar inflacioni arriti deri në 20 për qind.
Ata kujtojnë se edhe çmimet e produkteve bazë në vend gjatë dy vjetëve të fundit kanë shënuar rritje prej 40 për qind.
Mirëpo, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale në Maqedoninë e Veriut, Jovanka Trençevska, thotë se rritja lineare është e pamundur pasi në këtë mënyrë vihet në pikëpyetje stabiliteti i sistemit pensional.
“...rritja lineare nuk është në favor të pensionistëve. Si Qeveri dhe Ministri duhet të kemi parasysh edhe stabilitetin e sistemit pensional. Çdo rritje joreale e pensioneve dhe çdo shpenzim joreal i mjeteve të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, do të thotë se sjell pasiguri në pagesën e pensioneve për të 336 mijë pensionistët”, deklaron Trençevska.
Sipas saj, si asnjëherë më parë, pensionet në vend brenda 18 muajve kanë shënuar rritje prej 24 për qind.
Ikja e fuqisë punëtore lëkund stabilitetin e Fondit Pensional
Njohësit e zhvillimeve ekonomike theksojnë se nëse realizohet kërkesa e pensionistëve për rritje lineare të paktën për 3500 denarë ,(më pak se 60 euro) sa ishte kërkesa e pensionistëve në gusht për pensione, shteti duhet të ndajë 230 milionë euro shtesë brenda vitit.
Shenaj Haxhihamza, ligjëruese e lëndës Biznes dhe Ekonomi në Universitetin e Evropës Juglindore, e konsideron shumë të vështirë të mbahet i qëndrueshëm sistemi pensional, ndërkohë që nuk ka të ndalur trendi i largimit të të rinjve nga vendi, përkatësisht nuk ka punësime të reja në sektorin privat.
“Mungesa e mjeteve të nevojshme nga arkëtimi për sigurim pensional nga numri i përgjithshëm i të punësuarve ka imponuar praktikën që Fondi të financohet nga buxheti qendror 33 për qind dhe 65 për qind nga të ardhurat e rregullta për këtë çështje”, vlerëson për REL-in ajo.
Rritja e pensioneve në shtator nga 10 - 60 euro
Në bazë të metodologjisë së fundit të miratuar me ndryshimet ligjore në mars të vitit të kaluar, pensionet në Maqedoninë e Veriut korrigjohen dy herë në vit, në muajin mars dhe në shtator në raport me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare.
Vlera e pensionit më të ulët për muajin gusht në Maqedoninë e Veriut arriti në 11.897 denarë, (rreth 190 euro) përderisa pensioni më i lartë është paguar 69.803 denarë ( rreth 1 mijë e 130 euro).
Vlera e pensionit mesatar arriti në 19.062 denarë (pak më shumë se 30o euro).
Me rritjen e pensioneve për muajin shtator për 5.3 për qind, pensionistët me vlerën më të ulët të pensioneve kanë marrë plus 630 denarë (rreth 10 euro)
Përderisa ata me pension mesatar kanë marrë 1010 denarë, (16 euro),ndërsa ata me pensionin më të lartë kanë marrë rritje prej gati 3700 denarësh (rreth 60 euro).
Në Maqedoninë e Veriut një e treta e pensionistëve i takon kategorisë me pensione minimale.
Në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruar 336.806 pensionistë kundrejt 572 qind e 327 të personave me marrëdhënie të rregullt pune që del se për çdo pensionist ka 1.7 të punësuar.
Ky raport, para 30 vjetëve ishte tre të punësuar për çdo pensionist.