Ndërlidhjet

Projektligji që synon të ndalojë pensionimin selektiv të mjekëve


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është iniciuar një projektligj, në bazë të të cilit të gjithë mjekët që duan të punojnë deri në moshën 67-vjeçare, mund ta bëjnë një gjë të tillë. Aktualisht, një gjë e tillë varet nga vullneti i drejtorëve të klinikave dhe ministrit të Shëndetësisë.

Me gjithë mungesën e mjekëve, Ministria e Shëndetësisë gjatë periudhës 2022 -2023 ka refuzuar kërkesën e 180 prej tyre që të vazhdojnë punën deri në moshën 67-vjeçare.

Një nga ata që ka bërë kërkesë për të vazhduar punën pas moshës 64-vjeçare është dhe Marija Raleva, nga Klinika Universitare për Psikiatri dhe profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë. Ajo thotë se kërkesa e saj është refuzuar nga autoritetet shëndetësore në vitin 2022.

Për ta realizuar këtë drejtë ajo nuk ka iniciuar procedurë në organet e drejtësisë, por këtë e ka bërë kolegu i saj që tashmë disa vjet synon të dëshmojë se Ministria e Shëndetësisë ka shkelur ligjin kur nuk e ka lejuar të punojë deri në moshën 67-vjeçare.

“Deri në momentin e fundit asnjë nga ne që kemi paraqitur kërkesa, nuk e dinim nëse do të merrnim një vazhdim të kontratës së punës. Pastaj mora një vendim për të punuar edhe për një vit. Gjithçka ishte shumë poshtëruese dhe nuk kërkova më zgjatje. Unë kam kolegë, të cilët drejtori i klinikës nuk i ka lënë ta vazhdojnë punën, ndaj nuk kanë arritur as te ministri”, thotë një mjek specialist dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë, i cili ka dashur të mbetet anonim.

Propozimi në fjalë që ua mundëson mjekëve që duan të punojnë deri në moshën 67-vjeçare është iniciuar nga dy deputetët e Lidhjes Social Demokrate (LSDM), Martin Kostovski dhe Sonja Mihailovska.

“Ky është një propozim që duhet të përfshijë të gjithë mjekët në vend, nga të gjitha spitalet, jo vetëm specialistët apo profesorët. Motivi për inicimin e këtij propozim-ligji në Kuvend është mungesa e mjekëve dhe synimi për të shmangur subjektivizmin kur vendoset se kush duhet të lejohet të punojë deri në moshën 67 vjeç dhe kush jo. Zgjidhja nuk është që të vendosë ministri, por të detyrohet drejtori i institucionit që të vazhdojë punësimin e mjekut që dëshiron të mbetet në punë edhe pas pensionimit”, thotë për Radion Evropa e Lirë deputeti Martin Kostovski.

Oda e Mjekëve: Mjekët duhet të vendosin vetë nëse do të angazhohen

Nga Oda Mjekëve thonë se angazhimi i mjekëve deri në moshën 67-vjeçare mundëson shërbime më të mira për pacientët në kohën që klinikat zbrazen nga punonjësit e shëndetësisë.

“Duke marrë parasysh se ne kemi deficit të kuadrove që tashmë të janë të dëshmuar si specialistë të mjekësisë dhe profesorë në lëmi të ndryshme në mjekësi pse të mos u mundësohet atyre që deri në moshën të paktën 67-vjeçare të japin kontributin e tyre në institucionet shëndetësore”, thotë për REL-in, Bekim Ismaili nënkryetar i Odës së Mjekëve.

Nga Oda e Mjekëve konsiderojnë se nëse mjekëve me përvojë u mundësohet të mbeten më gjatë në punë, do të mund të kontribuonin me përvojën e tyre në aftësimin më të mirë të mjekëve të rinj që sapo kanë filluar të ndërtojnë karrierën e tyre profesionale:

“Fakti që me ndryshimet e reja ligjore, të cilat janë në procedurë parlamentare, nuk kërkohet pëlqimi vendimtar nga drejtori dhe ministri i Shëndetësisë për zgjatjen e marrëdhënies së punës deri në 67 vjet, e konsiderojmë zgjidhje të mirë sepse në këtë mënyrë do të përjashtohet momenti subjektiv në vendimmarrje”.

Nga ana tjetër, Shenasi Jusufi, pjesë e komisionit për çështje profesionale në kuadër të Odës së Mjekëve thotë për Radion Evropa e Lirë se krahas zgjatjes së përvojës në punë, autoritetet duhet të gjejnë mekanizma që mjekët e rinj mos e braktisin vendin.

“Duhet të krijohen kushte optimale për mjekët, të rriten rrogat, t’u mundësohet më shumë specializim... pasi mund të themi se 50 për qind e mjekëve të licencuar janë të interesuar dhe kanë marrë dokumentacionin që u mundëson të punojnë në vendet e Bashkimit Evropian, mbase jo të gjithë do të shkojnë por alarmues është fakti, e ritheksoj, se janë të interesuar të punojnë në vendet evropiane”, thotë mjeku Jusufi.

Në bazë të të dhënave të regjistrit të Odës së Mjekëve në Maqedoninë e Veriut rreth 9 mijë e 400 mjekë kanë licencë aktive për punë, ndërkaq deri në fund të vitit pritet të pensionohen 214 prej tyre që arrijnë moshën e pensionimit 64 vjeç.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG