Ndërlidhjet

Pelosi bën thirrje për bojkotimin e Olimpiadës në Kinë


Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi, bëri thirrje për bojkotimin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore, që do të mbahen vitin e ardhshëm në Pekin, për shkak të shqetësimeve për abuzimet me të drejtat e njeriut.

Derisa atletët do të marrin pjesë, Pelosi tha se krerët e shteteve duhet ta bojkotojnë pjesëmarrjen.

Ajo tha se SHBA-ja nuk mund të sillet sikur nuk ka asgjë të keqe me mbajtjen e Olimpiadës në Kinë.

Ajo është politikania e fundit amerikane që bën thirrje për bojkot, për shkak të trajtimit të myslimanëve ujgurë në Kinë.

Kina besohet se ka ndaluar më shumë se një milion ujgurë dhe myslimanë të tjerë në rajonin Ksinjiang.

Shumica e tyre dërgohen në të ashtuquajturat kampe “riedukimi”, ku mbahen për kohë të pacaktuar dhe pa ndonjë akuzë.

“Le të mos e nderojmë Qeverinë kineze me shkuarjen e udhëheqësve të shteteve në Kinë”, tha Pelosi në një seancë dëgjimore të Kongresit amerikan.

Liu Pengyu, zëdhënës i Ambasadës kineze në Uashington, reagoi ashpër ndaj propozimit të Pelosit.

“Pyes veten se çfarë i bën disa politikanë amerikanë të mendojnë se kanë të ashtuquajturin autoritet moral? Për çështjen e të drejtave të njeriut, ata nuk janë në asnjë pozicion, as historikisht dhe as aktualisht, për të bërë kritika të pabazuara kundër Kinës”, tha Liu për agjencinë e lajmeve Reuters.

Qeveria kineze është akuzuar për sterilizimin e grave ujgure dhe ndarjen e fëmijëve nga familjet e tyre.

Kina fillimisht e ka mohuar ekzistencën e kampeve, ndërsa ma vonë ka thënë se ato janë të nevojshme për të luftuar terrorizmin.

Kina i ka mohuar akuzat për abuzime me të drejta të njeriut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG