Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në votimin për kryeparlamentarin e ri gjatë seancës konstituive të Kuvendit, të caktuar më 15 prill, pa një “zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën”. Por, ndryshe u shpreh Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila tha se në parim është për konstituimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Deputeti i zgjedhur nga PDK-ja, Mërgim Lushtaku, tha se partia e tij mendon se zgjidhja e qëndrueshme është që kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza, të udhëheqë me ekzekutivin e ri.
Ai tha se PDK-ja ka zhvilluar takime me partitë e tjera që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë, dhe u bën thirrje që të ketë “një qëndrueshmëri në premtimet që kanë bërë sa i përket moszgjedhjes së kryeministrit [aktual në detyrë, Albin] Kurti, apo mosdhënies së mundësisë [për formimin e Qeverisë] Kurti 3”.
Megjithatë, pas regjistrimit si deputet në legjislaturën e re, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në parim partia e tij do të votojë për kryeparlamentarin e ri, që sipas ligjeve duhet të propozohet nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.
“Kuptohet, do të bëjmë konsulta të ndërsjella edhe me partitë e tjera opozitare, me PDK-në dhe LDK-në. Por, besoj që konstituimi i Kuvendit është interes i të gjithëve”, tha ai.
Ndërkaq, sa i përket krijimit të Qeverisë së re, Haradinaj tha se po punon që ajo të krijohet nga partitë opozitare.
Megjithatë, ai tha se bërja e shumicës nga opozita është ndërlikuar për shkak të deklaratës të kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, se nuk ka vija të kuqe për bashkëpunim me LVV-në.
Limaj, në zgjedhjet e 9 shkurtit garoi në koalicion me AAK-në, dhe fitoi tri ulëse në Kuvend, ndërkaq partia e Haradinajt pesë të tjera.
“Ka qenë shumë i vështirë krijimi i shumicës nga opozita. Pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë. Ka qenë i parakohshëm dhe nëse Nisma dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne. Por, është një ndarje mjaft e turpshme pasi kemi kërkuar votë për ndryshim dhe sjellja e tyre dhe veprimi i tyre është mjaft i turpshëm”, tha Haradinaj.
Sipas ligjeve, LVV-ja, që ka fituar 48 ulëse në Kuvend, e ka të drejtën që të propozojë kryeparlamentarin. Seanca konstituive, e caktuar për të martën, konsiderohet e përmbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët, e deputetët e rinj të kenë bërë betimin.
Për votimin e kryetarit kërkohen 61 vota.
Vetëm pas kësaj, LVV-ja do të mund të vazhdojë me përpjekjet për të formuar Qeverinë e re, për të cilën po ashtu kërkohen 61 vota.
Më herët, Kurti kishte thënë se mëton që brenda një dite të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria. Megjithatë, më herët gjatë së hënës, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, deklaroi për gazetarët se nuk është optimist që të martën do të votohet për Qeverinë e re të Kosovës.
LVV-ja ka thënë më herët se preferon një ekzekutiv me partitë nga komunitetet joserbe, por së fundi ka pranuar se i duhet bashkëpunimi edhe me një parti shqiptare.
AAK-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur kundër bashkëpunimit me LVV-në për Qeverinë. Por, Nisma nuk i ka vendosur vija të kuqe, ndërkaq Hamza nga PDK-ja ka thënë se ndonëse nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, preferon një ekzekutiv pa LVV-në.
Megjithatë, Kurti nuk e ka mbështetjen e plotë edhe të partive joserbe – që tradicionalisht kanë mbështetur Qeverinë. Disa nga partitë joserbe, që kanë dhjetë ulëse në Kuvend, kanë paraqitur kërkesa në këmbim të votës së tyre për qeverinë.
Nëse LVV-ja dështon të formojë Qeverinë, atëherë është në dorën e presidentes, Vjosa Osmani, që të mandatojë një subjekt politik që dëshmon se i ka numrat.
PDK-ja, partia e dytë e dalë në zgjedhje me 24 vende në Kuvend, ka thënë se është e gatshme ta marrë këtë përgjegjësi. LDK-ja, me 20 ulëse, ka vendosur kusht për bashkëpunimin me partitë opozitare. Kushti është marrja e postit të kryeministrit, por PDK-ja ka thënë se ky post i takon asaj. AAK-ja, ndërkaq, nuk ka vendosur asnjë kusht për një koalicion të mundshëm të partive opozitare.