Ndërlidhjet

Në Shkup shënohet përvjetori i pavarësisë së Ukrainës


Organizimi në Shkup për 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik.
Organizimi në Shkup për 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik.

Ukrainasit në Maqedoninë e Veriut u mblodhën në Shkup më 24 gusht për të shënuar 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Ky përvjetor përkon me gjashtëmujorin e nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Në këtë organizim të Ambasadës së Ukrainës dhe shoqatës së ukrainasve “Lesja Ukraina”, që u mbajt në sheshin e Shkupit, morën pjesë edhe ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Suedisë dhe Holandës.

Shënimi i 31-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Shënimi i 31-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Sekretari i parë i Ambasadës ukrainase në Shkup, Ruman Burga, tha se lufta që nisi Rusia në Ukrainë ka ndryshuar gjithçka, si për shtetin e tij, por edhe për shtetet evropiane dhe SHBA-në.

“Ukrainasit dëshmuan se nuk mund të mposhten. I falënderojmë të gjithë që dëshmuan forcën në këtë kohë, të gjithë ata që luftuan dhe luftojnë për Ukrainën dhe të gjithë ata që ndihmojnë ushtarët tanë. Një falënderim i madh shkon për të gjithë miqtë tanë në gjithë botën për ndihmën dhe mbështetjen që dhanë për Ukrainën”, tha ai.

Oleksandar Urbanoviq nga shoqata e ukrainasve “Lesja Ukraina”, falënderoi Maqedoninë e Veriut për ndihëm e dhënë Ukrainës.

Ai tha se Maqedonia është “një shtet i vogël, por me zemër luan”.

“Ju i dhatë Ukrainës më shumë seç mundeshit. Asnjëherë nuk do ta harrojmë këtë”, tha ai.

Të pranishmit në tubimin në Shkup mbajtën flamurin kombëtar të Ukrainës.
Të pranishmit në tubimin në Shkup mbajtën flamurin kombëtar të Ukrainës.

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, edhe ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska e ka uruar homologun e saj ukrainas, Oleksei Reznikov.

Në letrën e urimit theksohet edhe një herë mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, si dy elemente kyçe për pavarësinë e shtetit ukrainas.

“Për Maqedoninë e Veriut, dhënia e mbështetjes për çdo vend në botë në forcimin e të drejtës për vetëmbrojtje, liri dhe demokraci është me rëndësi më të madhe. Ne ishim një nga vendet e para që morëm një vendim për ndihmën ushtarako-teknike për Ukrainën”, theksohet në letrën e urimit të Petrovskas.

Maqedonia e Veriut i është bashkuar BE-së, SHBA-së dhe shteteve të tjera në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Shkupi, që është anëtar i NATO-s, po ashtu i ka dhuruar edhe tanke dhe është zotuar se do të vazhdojë mbështetjen me pajisje ushtarake për forcat e Kievit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG