Ndërlidhjet

Pasiguri për ekonominë amerikane: Ndërpriten bisedimet për stimujt


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i anuloi bisedimet për stimulimin e ekonomisë, vetëm disa javë përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Pandemia e sëmundjes COVID-19 ka shkaktuar pasiguri në ekonominë amerikane dhe miliona njerëz mbeten të papunë.

Në një seri postimesh në Twitter, Trump, republikan, e fajësoi kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, demokraten Nancy Pelosi, për kërkimin e 2.4 trilionë dollarëve, për të shpëtuar, siç tha, “shtetet demokrate, të udhëhequra dobët dhe me krim të lartë”. Këto para “nuk janë të lidhura në asnjë mënyrë me COVID-19-ën”, tha Trump.

“Jam duke e refuzuar kërkesën e tyre dhe duke shikuar për të ardhmen e vendit tonë. I kam udhëzuar përfaqësuesit e mi t’i ndalojnë negociatat deri pas zgjedhjeve, kur, menjëherë pasi të fitoj, do të miratojmë një projektligj të stimulimit të madh, që përqendrohet tek amerikanët e zellshëm dhe bizneset e vogla”, tha Trump.

Ai po ashtu tha se, në vend të kësaj, ka kërkuar nga udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, të përqendrohet te miratimi i shpejtë i të nominuares së tij për gjykatëse të Gjykatës Supreme, Amy Coney Barrett.

Pelosi, përmes një deklarate, e kritikoi Trumpin për, siç tha, refuzimin “për t’iu dhënë ndihmë të vërtetë fëmijëve të varfër, të papunëve dhe familjeve punëtore të Amerikës”.

“Qartazi, Shtëpia e Bardhë është në një rrëmujë të vërtetë”, tha Pelosi.

Sfiduesi demokrat i Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, Joe Biden, tha se Trump po ua kthen shpinën amerikanëve, duke u dhënë fund bisedimeve për stimulimin e ekonomisë.

Anulimi i bisedimeve erdhi pasi kryetari i Rezervave Federale të SHBA-së, Jerome Powell, i bëri thirrje Kongresit amerikan që të miratojë më shumë ndihmë, duke thënë se mbështetja e vogël “çon në rimëkëmbje të dobët” dhe “krijon vështirësi të panevojshme për familjet dhe bizneset”.

Rezervat Federale kanë pompuar triliona dollarë likuiditet në ekonomi.

Ditëve të fundit, tregjet kanë shpresuar për një paketë tjetër stimuluese, por aksionet ranë gjerësisht, në përgjigje të njoftimit të Trumpit.

Mungesa e një pakete tjetër stimuluese hedh më shumë pasiguri në zgjedhje, duke i dëmtuar potencialisht perspektivat e rizgjedhjes së Trumpit.

Kjo vjen në kohën kur administrata dhe fushata e tij janë në rrëmujë, pasi Trump u infektua me koronavirus. Sondazhet e opinioneve tregojnë se ai qëndron shumë prapa Bidenit.

Megjithatë, disa votues mund të humbin besimin edhe te demokratët dhe Pelosi për mospranimin e një stimuli prej 1.6 trilion dollarësh, të ofruar nga Shtëpia e Bardhë.

Një sondazh i publikuar këtë javë nga CNBC dhe qendra Change Research zbuloi se 66 për qind e të anketuarve kanë thënë se ekonomia është duke luftuar dhe ka nevojë për më shumë ndihmë.

Administrata e Trumpit dhe kolegët republikanë të Senatit kanë qenë shumë larg demokratëve për çmimin e stimulimit, pasi shumica e dispozitave të paketës së mëparshme të ndihmës kanë skaduar në korrik.

Mospajtimet kanë pasur të bëjnë kryesisht me shumën e sigurimit për të papunët dhe me fondet shtesë për qeveritë e shtetit dhe ato lokale.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.

Demokratët donin 600 dollarë në javë për të papunët, ndërsa republikanët 400 dollarë.

Demokratët propozuan 436 miliardë dollarë ndihmë për shtetet dhe qeveritë lokale, ndërsa republikanët ofruan 250 miliardë dollarë.

Paketa e ndihmës prej 2 trilionë dollarësh, e miratuar në mars me mbështetjen e të dyja partive, ka ndihmuar ekonominë gjatë pranverës dhe verës.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG