Partitë politike dhe kandidatët e tyre që garojnë në balotazhin i cili do të zhvillohet më 19 nëntor për kryetarë të komunave, po vazhdojnë fushatën, ndonëse ajo nuk është shpallur zyrtarisht.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, do të nisë më 13 nëntor dhe do të zgjasë deri më 17 nëntor.
Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që monitorojnë procesin zgjedhor, thonë se fillimi i aktiviteteve elektorale nga ana e subjekteve politike para fillimit zyrtar të fushatës, po keqpërdorët kryesisht nga partitë politike që kanë mjete më të mëdha financiare, duke dëmtuar subjektet që respektojnë afatet ligjore.
Albert Krasniqi, analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se partitë politikë po tregohen të padurueshme dhe kryesisht nuk po e respektojnë vendimin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Faktikisht fushata nuk është ndërprerë që nga rrethi i parë i zgjedhjeve. Kandidatët e komunave që kanë kaluar në balotazh kanë vazhduar fushatën menjëherë”.
“Po shohim takimet të cilat po zhvillohen, duke filluar nga kryetarët e partive apo kandidatët, qoftë me strukturat partiake apo edhe me qytetarët në tubime më të vogla. Ndërkohë që nuk ka tubime të mëdha dhe mirë të organizuara, por më shumë janë vizita në terren, takime me qytetarët dhe vizita bizneseve”, thotë Krasniqi.
Edhe Isuf Zejna, nga organizata “Demokraci Plus”, thotë se fushata parazgjedhore ka filluar në momentin kur janë shpallur rezultatet preliminare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas tij, përveç ngutisë së shprehur nga subjektet politike që të vazhdojnë fushatën, është evidente që Ligji për zgjedhjet nuk i rregullon sa duhet sjelljet e partive dhe kandidatëve gjatë periudhës nga rrethi i parë deri në rrethin e dytë të votimeve.
“Kandidatët që kanë kuptuar se do t’i nënshtrohen balotazhit janë duke e vazhduar fushatën e tyre. Kjo faktikisht paraqet edhe problem ligjor, për shkak se nuk është e rregulluar me Ligjin për zgjedhjet, kështu që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk mund të ndëshkojë subjektet të cilat fillojnë të zhvillojnë aktivitetet e fushatës para afatit ligjor”, thotë Zejna për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, Albert Krasniqi, shprehet se subjektet politike po abuzojnë me mungesën legjislacionit për periudhën e parafushatës në Kosovë, pasi që, sipas tij, për këtë periudhë nuk ka masa ndëshkuese për shkelje të Kodit të Mirësjelljes.
“Nuk ka rregulla nga të cilat mund të ndëshkohen për fillim të mëhershëm të fushatës zgjedhore. Po ashtu mungojnë edhe rregullat nëse subjektet politike shkelin Kodin e Mirësjelljes, i cili parashihet vetëm gjatë periudhës së fushatës zgjedhore zyrtare”, tha Krasniqi.
Ndërkohë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur subjektet politike me 219 mijë euro, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë raundit të parë të zgjedhjeve të mbajtura më 22 tetor.
Mul Desku, kryesues i këtij Paneli thotë se nuk është e domosdoshme të paguhen të gjitha gjobat, në mënyrë që partitë politike të marrin pjesë në balotazh.
“Gjobat më të larta janë shqiptuar ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, që kap shumën mbi 70 mijë euro, Partia Demokratike e Kosovës me mbi 26 mijë euro, Lëvizja Vetëvendosje mbi 23 mijë euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës rreth 15 mijë euro, Aleanca Kosova e Re me 20 mijë euro dhe Lista Serbe është dënuar me mbi 38 mijë euro”, tha Desku duke shtuar se një shumë e këtyre mjeteve është paguar.
Në bazë të rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 38 komunat e Kosovës që kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, në 19 prej tyre, sidomos në komunat e mëdha, do të shkohet në balotazh.