Një parti e sapoformuar kundër korrupsionit duket se ka fituar zgjedhjet në Bullgari.
Bullgarët kanë votuar më 14 nëntor për të zgjedhur presidentin dhe përbërjen e re parlamentare, me qëllim të dhënies fund të bllokadës politike dhe formimit të një qeverie për luftim të pandemisë së koronavirusit, por edhe menaxhimin e rritjes së çmimeve të energjisë dhe korrupsionin endemik.
Asnjë parti nuk duket se ka fituar shumicën në zgjedhje, duke hapur rrugën për më shumë vështirësi në negociata për koalicion.
Me më shumë se 75 për qind të votave të numëruara, lëvizja e qendës, Ne vazhdojmë ndryshimin, e cila drejtohet nga dy biznismenë të edukuar në Universitetin e Harvardit, ka fituar rreth 25.3 për qind të votave.
Partia e qendrës së djathtë, GERB, e ish-kryeministrit Boyko Borisov është e dyta me 22.4 për qind të votave.
Pesë parti tjera besohet se do të jenë pesë e parlamentit me 240 ulëse: Partia Socialiste, partia e turqve etnike DPS, partia anti-elitës, Ka një popull të tillë, grupi liberal kundër korrupsionit, Bullgaria Demokratike dhe partia nacionaliste, Ringjallja.
Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare që janë mbajtur këtë vit në Bullgari.
Në garë për postin ceremonial të presidentit, presidenti aktual, Rumen Radev, i cili ka garuar si i pavarur dhe ka fituar përkrahje të tri partive në parlament, pritet të fitojë një mandat të dytë pesëvjeçar, sipas rezultateve zyrtare.
Nëse konfirmohet, fitorja e lëvizjes, Ne vazhdojmë ndryshimin, do të përbënte befasi të madhe në shtetin me rreth shtatë milionë banorë.
Kiril Petkov dhe Asen Vasilev e kanë formuar këtë lëvizje në muajin shtator, pas protestave masive në rrugë kundër korrupsionit, të cilat janë mbajtur më herët gjatë vitit.