Ndërlidhjet

Partia e ekstremit të djathtë mandatohet për ta formuar qeverinë e re në Austri


Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen (majtas), takohet me liderin e Partisë së Lirisë (FPO), Herbert Kickl, 6 janar 2025.
Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen (majtas), takohet me liderin e Partisë së Lirisë (FPO), Herbert Kickl, 6 janar 2025.

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, e ka mandatuar të hënën liderin e Partisë së Lirisë (FPO), Herbert Kickl, të provojë ta formojë një qeveri të re, pasi javën e kaluar dështuan përpjekjet për formimin e qeverisë pa FPO-në.

Nëse Kickl ia del ta formojë qeverinë, atëherë Austria do të udhëhiqet nga një qeveri e ekstremit të djathtë për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Partia e Lirisë – parti kundër imigracionit dhe euroskeptike e cila i kundërshton sanksionet ndaj Rusisë – i fitoi zgjedhjet parlamentare në Austri në shtator.

Ajo i mori 28.8 për qind të votave, duke e lënë në vendin e dytë partinë konservatore të kancelarit në largim, Karl Nehammer, Partia e Popullit.

Por, në tetor, presidenti Van der Bellen ia tha mundësinë e parë Nehammerit për ta formuar qeverinë e re, pasi partia e Nehammerit kishte thënë se nuk do të futej në koalicion qeverisës me Partinë e Lirisë përderisa Kickl është lider i saj, ndërsa partitë e tjera nuk pranonin fare të bashkëpunonin me Partinë e Lirisë.

Përpjekjet për të formuar aleancë qeveritare pa partinë e ekstremit të djathtë dështuan në ditët e para të vitit të ri dhe Nehammer njoftoi të shtunën se do të jepte dorëheqje.

Partia e Popullit më pas la të kuptohej se mund të jetë e hapur për të bashkëpunuar me Kicklin.

Van der Bellen, pas një takimi rreth një orësh me Kicklin në pallatin presidencial të hënën, njoftoi se i ka dhënë udhëheqësit të Partisë së Lirisë detyrën për të mbajtur bisedime me Partinë e Popullit për ta formuar një qeveri të re.

"Unë nuk e mora vendim hap lehtësisht", tha presidenti. "Do të vazhdoj të sigurohem që parimet dhe rregullat e Kushtetutës sonë të respektohen dhe zbatohen siç duhet".

E djathta ekstreme dhe konservatorët kanë qeverisur së bashku më parë, por në rastet e mëparshme Partia e Lirisë ishte partneri i vogël në koalicion. Së fundmi, ata drejtuan Austrinë nga viti 2017 deri në vitin 2019, në një qeveri ku Kickl shërbeu si ministër i Brendshëm. Ajo qeveri ra pas një skandali në të cilin u përfshi lideri i atëhershëm i Partisë së Lirisë.

Nuk është e sigurt se bisedimet për koalicion mes së djathtës ekstreme dhe konservatorëve do të jenë të frytshme, por tani për tani nuk ka opsione të tjera reale në Parlament, dhe sondazhet tregojnë se zgjedhjet e reja mund ta forcojnë edhe më shumë Partinë e Lirisë.

Në programin e saj zgjedhor të titulluar “Fortesa Austri,” Partia e Lirisë bën thirrje për “riatdhesimin e të huajve të paftuar”, për krijimin e një kombi “më homogjen” duke kontrolluar rreptësishtë kufijtë dhe pezullimin e të drejtës për azil përmes një ligji emergjent.

Partia e Lirisë gjithashtu kërkon heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, është shumë kritike ndaj ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe dëshiron të largohet nga iniciativa e mbrojtjes raketore, European Sky Shield, e nisur nga Gjermania.

Kickl i ka kritikuar “elitat” në Bruksel dhe ka bërë thirrje që Austrisë t’i kthehen disa kompetenca nga Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG