Ligjvënësit rumunë e kaluar të mërkurën një projektligj për dhurimin e një sistemi mbrojtës ajror, Patriot, Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë thotë se kjo ndihmë rrit përpjekjet për ta mbështetur Kievin, si dhe forcon marrëdhëniet e Bukureshtit me Shtetet e Bashkuara.
Projektligji mori 245 vota, 29 kundër dhe një abstenim.
Rumania, anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, ndan një kufi 649 kilometra të gjatë me Ukrainën dhe në territorin e saj shpesh kanë rënë copëza të dronëve rusë prej se Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës mbi dy vjet më parë.
Tani nevojitet nënshkrimi i presidentit Klaus Iohannis dhe një vendim për zbatim nga Qeveria para se kundërajrori Patriot t’i dërgohet Ukrainës.
Në projektligjin e sjellë nga Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë thuhet se “kjo do të kontribuojë në forcimin e pozitës së Rumanisë si ofrues i sigurisë rajonale dhe do t’i thellojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara”.
Rumania i ka dhënë ndihmë ushtarake Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë, por nuk ka pranuar të tregojë shkallën e mbështetjes, për shkaqe sigurie.
Ajo është zotuar edhe t’i stërvitë pilotët ukrainas për përdorimin e avionëve luftarakë F-16, në një qendër rajonale të përuruar në nëntor 2023.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.