Parlamenti Evropian (PE) ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje. Këto janë përfshirë në rezolutën për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimeve në veri të Kosovës.
Teksti i kësaj rezolute, u hodh në votim në seancën plenare të 19 tetorit, është përpiluar duke marrë parasysh disa propozime të grupeve politike në PE.
Autori dhe nismëtari i kësaj rezolute, Tonino Picula, deklaroi pas votimit se “sulmi terrorist është një pikë kthese e paprecedent në periudhën e pasluftës dhe kërkon një reagim serioz politik, si për shembull masat e shënjestruara kundër aktorëve që destabilizojnë veriun e Kosovës. Picula kritikoi vazhdimin e raporteve të ngushta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën, duke thënë se “kjo seriozisht vë në dyshim orientimin strategjik të Serbisë”.
Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjkës.
Në tekstin e rezolutës, sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë cilësohet “sulm terrorist”, përderisa Serbia kritikohet për disa veprime sikurse mosdistancimi i qartë nga sulmi, madhërimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin dhe shpalljen e ditës së zisë në Serbi për tre sulmuesit e vrarë.
“Dënojmë në mënyrën më të fuqishme të mundshme sulmin qyqar terrorist ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e paramilitarëve mirë të organizuar serbë në Banjskë, në veri të Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës, në të cilën u bëhet ftesë të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që deri më tani nuk e kanë dënuar këtë sulm, ta bëjnë një gjë të tillë.
Përmes rezolutës së PE-së u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë në uljen e tensioneve, të përmbahen nga retorika apo veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të veprojnë në zbardhjen e të gjitha fakteve lidhur me sulmin në Banjskë.
“Bëjmë ftesë që BE-ja të mbështesë hetimet nga ana e autoriteteve të Kosovës, përfshirë edhe me mbështetjen e [misionit të BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit] EULEX-it, duke nënvizuar rëndësinë që kryesit e këtyre sulmeve të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë pa vonesa. Ftohen autoritetet e Kosovës që të paraqesin të gjitha dëshmitë lidhur me incidentin, Serbisë i kërkohet që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet dhe të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës që ndodhen në Serbi, në përputhje me ligjin, përfshirë edhe ekstradimin në Kosovë”, thuhet në tekstin e rezolutës të votuar nga deputetët evropianë.
Teksti i rezolutës po ashtu i bën ftesë Komisionit Evropian dhe Këshillit që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.
“Ftohet Këshilli që të miratojë masave të shënjestruara restriktive, përfshirë por jo edhe të kufizuara, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ftojmë Këshillin që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Millan Radoiçiqit”, thuhet në rezolutë.
Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e sulmit në Banjskë. Ai veçse gjendet nën sanksione të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar nën dyshime për krim të organizuar.
PE-ja, përmes kësaj rezolute, po ashtu dënon edhe rritjen e pranisë së ushtrisë serbe në afërsi të kufirit të Kosovës dhe kërkon nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës në të ardhmen.
Po ashtu, kritikohet edhe ajo që cilësohet si gjuhë e ashpër nxitëse që përdoret në Serbi për Kosovën dhe shqiptarët, që sipas eurodeputetëve nxit tensionet.
“Bëhet ftesë për autoritetet në Serbi dhe mediat që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes ndaj Kosovës dhe nga përhapja e gënjeshtrave për ‘spastrim etnik’ apo ‘pogrom’ në Kosovë, për çka nuk ka dëshmi”, thuhet në rezolutë.
Përmes kësaj rezolute po ashtu bëhet ftesë për një rol më pro-aktiv të BE-së në dialogun për normalizimin e raporteve, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes drejt normalizimit – të arritur më herët gjatë vitit – përderisa shprehet keqardhje për rinisjen e fushatës nga Serbia për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe pengesave për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Nga Kosova kërkohet që të ketë dialog me serbët në Kosovës dhe të organizojë sa më shpejt zgjedhje të reja lokale në veriun e banuar me shumicë serbe.
Në disa pika të kësaj rezolute shprehet keqardhje për sjelljen e autoriteteve të Serbisë, të udhëhequra nga presidenti Aleksandar Vuçiq, që sipas eurodeputetëve, destabilizojnë tërë rajonin.
Përmes kësaj rezolute, po ashtu kërkohet që të largohen masat ndëshkuese që BE-ja vendosi ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri, që nisën në fund të majit.
“Shprehim keqardhje për masat negative të cilat Këshilli ka ndërmarrë ndaj Kosovës dhe kërkojmë që ato të hiqen sa më parë që të jetë e mundur. Kërkohet nga Këshilli dhe Komisioni Evropian që të rifillojnë kontaktet e nivelit të lartë me presidenten dhe Qeverinë e Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës së miratuar.
Po ashtu, eurodeputetët kërkojnë që të mos vihet në dyshim liberalizimi i vizave për Kosovën dhe kjo çështje të mos lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.
“Rikujtojmë se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi jo më larg se 1 janari i vitit 2024”, thuhet në tekst.
Eurodeputetët po ashtu dënojnë përpjekjet e Rusisë për ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçmas në raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkohet që të hetohet roli i mundshëm i Rusisë në ngjarjet në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar më herët se po hetohet roli i mundshëm i Rusisë në këtë sulm.