Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë të enjten se Serbia, si vend që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, duhet të zbatojë sundimin e ligjit, të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe t’i largojë sa më shpejt policët e arrestuar të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, von Cramon ka thënë se protestat kombëtare që po zhvillohen në Beograd ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duket se janë arsyeja kryesore mbrapa veprimit "të tepruar dhe të papërshtatshëm" ndaj zyrtarëve kufitarë të Kosovës.
“Çfarë bëjnë autokratët kur janë nën presion të brendshëm? Ata analizojnë rrugë për ta larguar vëmendjen prej problemeve të brendshme. Një shembull klasik duket se është incidenti i djeshëm në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”.
Në Beograd është protestuar gjashtë herë në javët e fundit me thirrjet për dorëheqje të Vuçiqit.
Protestat kanë nisur si shenjë pakënaqësie ndaj reagimit të Qeverisë së Serbisë kundrejt sulmeve me të shtëna masive, në fillim të majit, në të cilat kanë humbur jetën 18 persona.
Zyrtarja evropiane ka thënë se në bazë të informacionit të qasshëm, zyrtarët policorë të Kosovës nuk kanë lëvizur makinat e tyre, por kanë ecur në këmbë në zonën kufitare me Serbinë.
“Edhe nëse ky operacion i nënshtrohet ligjërisht një njoftimi, është e paligjshme që të hysh në territorin e Kosovës me forcat speciale të Serbisë dhe të lidhësh zyrtarët policorë si kriminelë lufte, dhe t’i dërgosh në Beograd”.
Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si kidnapim nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Beogradi, në anën tjetër, deklaron se nuk bëhet fjalë për kidnapim, por për arrestim të policëve në territorin serb.
Autoritetet në Kosovë e kanë dënuar ashpër këtë akt dhe i kanë bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të veprojë njëjtë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se, është në pritje të reagimit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për arrestimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet e Serbisë.
“KFOR-i nuk do të duhej të jetë i heshtur dhe as i përulur ndaj një sulmi kidnapues, të cilin e kishte edhe mandat ta parandalonte. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj, që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, dhe ashtu do ta mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare, që ishte dashur ta përmbushë efektivisht”.
KFOR-i, ka thënë më 14 qershor se është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen që ndodhi në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri - të banuara me shumicë serbe - kanë hyrë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.