Pas reagimeve të shumta në opinion, Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Maqedonisë së Veriut ka tërhequr njoftimin e ditës së enjte të ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, për mbulimin e shpenzimeve për personat që duan të ndërrojnë gjininë.
“Njoftojmë opinionin se operimet për ndryshimin e gjinisë nuk do të bëhen në llogari të Fondit dhe një procedurë e tillë nuk do të bëhet në institucionet publike shëndetësore. Operimet kirurgjike nga eksperti serb, Mirosllav Gjorgjeviq, kanë të bëjnë vetëm me komplikime të ndryshme urologjike për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, e të cilat duhej të kryheshin jashtë shtetit”, thuhet në një njoftim të Fondit.
Por, njoftimi paraprak i Ministrit, Venko Filipçe, ishte i qartë dhe erdhi në prag të organizimit të Paradës së Krenarisë, që do të mbahet të shtunën në Shkup. Me këtë masë, Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev synoi të dëshmojë përkushtimin për të respektuar të drejtat e komunitetit LGBTI (homoseksual, lesbike, biseksual, transgjinor dhe interseksual).
“Ky lloj i operimit tani e tutje do të mbulohet financiarisht nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Pra, të gjithë ata që duan t’i nënshtrohen një operimi të tillë, apo ndërrimit të gjinisë, nuk do të paguajnë privatisht. Operimet do të kryhen në Klinikën e Kirurgjisë së fëmijëve. Që prej para disa muajve kemi në dispozicion një ekspert të njohur nga Serbia, i specializuar për kirurgji për ndërrim të gjinisë, që punon edhe në shumë vende të Evropës dhe në SHBA”, kishte deklaruar të enjten ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ai me këtë rast bëri të ditur se dikasteri që ai drejton ka pranuar një kërkesë për një operim të tillë, por pa dhënë detaje tjera, qoftë për të interesuarit, apo për atë se sa persona të tjerë kanë bërë ndërhyrje të ngjashme kirurgjike jashtë vendit, ndërkohë që sipas vlerësimeve të fondit një operim i tillë në Shkup do të kushtonte rreth 15 mijë euro. Ministri Filipçe tha se tërheqja e vendimit është bërë pas kritikave në opinion, që nuk pritur të jenë të shumta.
Njoftimi i parë se Fondi do të mbulojë shpenzimet për operimin e ndërrimit të gjinisë është kritikuar nga opozita duke e quajtur vendimin “skandaloz”, në kohën kur sipas saj, shumë njerëz, kryesisht të rinj që e kanë jetën në rrezik, nga pamundësia financiare por edhe nga mungesa e ndihmës së shtetit për t’i kryer operimet e rënda jashtë shtetit.
Nga VMRO-DPMNE-ja kanë akuzuar Qeverinë, për siç kanë thënë, “shkatërrimin e sistemit shëndetësor”.
“Po bëhen përpjekje të fuqishme për degradimin e sistemit shëndetësor në të gjitha segmentet. Ministri Filipçe dhe drejtori i Fondit, Den Donçev, po vazhdojnë me realizimin e bizneseve të tyre personale dhe të kompanive të afërta me pushtetin. Po favorizohen institucione të caktuara private dhe e gjithë kjo në llogari të qytetarëve”, ka deklaruar Igor Nikollov nga VMRO-DPMNE-ja.
Ndryshe, të shtunën për herë të parë në Maqedoninë e Veriut organizohet Parada e Krenarisë e komunitetit LGBTI. Organizatorët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se kjo paraqet mundësi që opinioni të njihet me problemet me të cilat përballet ky komunitet dhe të pranohet si pjesë e shoqërisë.
Por, para Paradës do të mbahet edhe një protestë tjetër kryesisht nga klerikë, por edhe kundërshtarë të tjerë këtij komuniteti.