Ndërlidhjet

Nga një muaj paraburgim për tre të dyshuarit për keqpërdorim me rezervat shtetërore


Pallati i Drejtësisë i Kosovës.
Pallati i Drejtësisë i Kosovës.

Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar të shtunën nga një muaj paraburgim dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë dhe një të dyshuari tjetër, të cilat u arrestuan dje nën dyshimin për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Në një njoftim për media me 19 gusht, Gjykata Themelore tha se e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurit I.L, H.G, R.M.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dje konfirmoi se dy prej të arrestuarve janë zyrtarë të saj.

“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake e ka aprovuar kërkesën.. për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit I.L, H.G dhe R.M... për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe i pandehuri R.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 lidhur me nenin 33 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, tha Gjykata Themelore.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha ajo.

MINT-i njoftoi të premten se policia i bastisi zyrat e dy zyrtarëve të vet të lartë: të drejtorit të departamentit të rezervave shtetërore, Hafiz Gara dhe të drejtorit të departamentit për integrime evropiane, Irfan Lipovica.

Hajdari akuzon policinë për mosprezantimin e certifikatës për dokumentet sekrete

Në një konferencë për media pasditen e së premtes, ministria e Industrisë, Rozeta Hajdari, tha se policia gjatë bastisjeve ka marrë në cilësinë e provave dokumente, që janë të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Ajo tha se Policia e Kosovës "nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete", duke shtuar se marrja e këtyre dokumenteve është bërë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

Hajdari shtoi se nuk ka asnjë dyshim te zyrtarët që janë ndaluar sot, ndërkaq u përgjigj edhe në pyetjen nëse do të japë dorëheqje: "Unë nuk shoh asnjë arsye të jap dorëheqje, e them me përgjegjësi të plotë", tha ajo.

Ajo përsëriti qëndrimin e shprehur më herët nga MINT-i se blerjet për rezervat shtetërore janë bërë duke respektuar ligjin, por refuzoi të japë detaje për rezervat shtetërore .

“Ju njoftoj se vetëm 3 për qind e totalit të furnizimit kemi pasur vonesa gjatë vitit 2022 për të cilat vonesa me datën 8 qershor 2023 është njoftuar edhe Avokatura Shtetërore nga zëvendës sekretari ynë për inicim të procedurës gjyqësore”, tha Hajdari kur u pyet nëse mallrat e blera për rezervat shtetërore kanë arritur në Kosovë.

Aksioni i autoriteteve të rendit në MINT vjen pas publikimeve të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas audio-incizimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.

Kryeministri Albin Kurti e mbrojti ministren e vet dhe i hodhi poshtë dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtatore të premten vonë.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren [e Industrisë] Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, tha Kurti në një video në profilin e vet në Facebook.

Më herët gjatë ditës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se duhet të pritet epilogu i rastit.

“Për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve ligjzbatuese, ne duhet ta presim epilogun e rasteve. Në këtë moment, nga informatat që i kemi, është e pamundur të paragjykohet epilogu i këtij rasti. Institucionet e kanë punën e tyre".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG