Ndërlidhjet

Të arrestuarit armët "i blenë" nga Policia e Kosovës


Të arrestuarit për terrorizëm dërgohen në paraburgim
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:40 0:00

Të arrestuarit për terrorizëm dërgohen në paraburgim

Në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për paraburgimin e pesë personave të arrestuar, të dyshuar për terrorizëm, thuhet se armët e sekuestruara që u gjetën gjatë bastisjeve, ata i kishin blerë nga Policia e Kosovës.

Këto armë u blen gjatë një shitblerjeje të simuluar nga Policia e Kosovës.

Në këtë dokument të siguruar nga Radio Evropa e Lirë thuhet se përmes masave të fshehta, kanë zbuluar se të dyshuarit, kanë kërkuar armë anti-tank RPG si dhe predha, me qëllim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë.

“Me datë 7 tetor 2021, kemi siguruar urdhër për blerje të simuluar të sendeve nga Gjykata ku edhe më datë 10 tetor 2021, me rastin e bastisjes së shtëpive dhe objekteve përcjellëse të të pandehurve të lartëpërmendur si dhe të pandehurve, Mentor Bellaqa dhe Shkodran Krasniqi, janë siguruar prova të mjaftueshme se i pandehuri Mentor Bellaqa ka pasur kontakte të mëhershme me të pandehurit në fjalë, ndërkaq i pandehuri Shkodran Krasniqi, i ka siguruar armët me qëllim të shitjes”, thuhet në kërkesë.

Këto armë, sipas këtij dokumenti, janë sekuestruar nga Policia e Kosovës në Prishtinë gjatë bastisjes dhe gjatë arrestimit të këtyre pesë personave.

Sipas këtij dokumenti, të akuzuarit Ardijan Gjuraj, Ergim Syla dhe Nehrudin Skenderi, kanë kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

I akuzuari tjetër Mentor Bellaqa nga Prizreni, që është pjesë e këtij grupi, akuzohet për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Derisa Shkondran Krasniqi, sipas Prokurorisë, ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Mbetet e paqartë nëse të gjitha armët e paraqitura përmes fotografive nga Policia e Kosovës janë pjesë e shitblerjes së simuluar.

Një muaj paraburgim për të dyshuarit për terrorizëm

Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditë të të arrestuarve për terrorizëm.

Policia e Kosovës më 10 tetor arrestoi: Ardijan Gjurajn, Nuhredin Skenderin, Ergim Sylën, Mentor Bellaqan e Shkodran Krasniqi, si të dyshuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm.

Sipas njërit prej avokatëve mbrojtës, të arrestuarit akuzohen “për përgatitjen e sulmeve terroriste ndaj rendit kushtetues”.

Sipas Prokurorisë Speciale, të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës”, "Kryerja e veprës terroriste" si dhe për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Armët e konfiskuara gjatë bastisjeve, në operacionin ku u arrestuan pesë persona të dyshuar për terrorizëm.
Armët e konfiskuara gjatë bastisjeve, në operacionin ku u arrestuan pesë persona të dyshuar për terrorizëm.

Po ashtu të arrestuarit dyshohen për veprën "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".

Mbrojtja: Prokuroria nuk ka prova

Avokati Tomë Gashi, i cili është duke mbrojturit 25-vjeçarin nga Prizreni, Nehrudin Skenderi, tha se klienti i tij ishte arrestuar edhe më parë për vepra të tilla.

I njëjti për vepër të njëjtë ishte arrestuar katër vjet më parë dhe kishte qëndruar në paraburgim për 120 ditë.

Më pas, ai ishte liruar në mungesë të provave.

“Ajo që Prokuroria pretendon, që i ka quajtur si grup që kanë përgatitur fonde dhe që kanë blerë armatim, ne nuk e dimë që edhe nëse kjo është e vërtetë dhe nëse është blerë ndonjë armatim prej tyre, por jo prej Nehrudin Skenderit definitivisht. Këtë e pranon edhe Prokuroria. Atëherë, për çfarë ka pasur të përdoret ky armatim?”, tha Gashi.

Kurse avokati i Ardian Gjurajt, Arben Kelmendi, tha se organet e ndjekjes nuk kanë ofruar prova për të cilat fajësohet klienti i tij.

“Vetëm dyshime dhe supozime të tyre dhe të paargumentuara dhe të pabazuara, ku Prokuroria Speciale asnjë provë nuk e ka dhënë dhe asnjë argument të specifikuar, konkretisht se çka ka bërë i mbrojturi im. As nuk është kreu (i grupit), as nuk ka lidhje me armët, as s’ka asnjë argument asnjë dyshim ndaj të njëjtit”, tha ai.

Baba i njërit prej të arrestuarve, Fazli Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se djali i tij Ergim Syla, ka disa vjet që ka filluar të falet e të shkojë në xhami.

Ai tha se i biri 38-vjeçar, është i martuar dhe ka tre fëmijë, dhe merret me blegtori në fshatin Bashkiq të Klinës.

“Kanë ardhur nga ora 10 paradite edhe e kanë arrestuar. Kanë bastisur shtëpinë, është bërë kontroll...në gjendje të rregullt, nuk kanë gjetur armatim. Shumë më është dukur keq, shumë vështirë. Asgjë nuk kam njohuri se çka është bërë me të. Vetëm e di që falet, shkon me shokë, hynë...falet, më tutje nuk di”, tha Syla.

Sa mund të dënohen nëse shpallen fajtorë?

Veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit përfshijnë dënime deri në pesë vjet burgim.

Vepra penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, sipas Kodit Penal dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.

Vepra tjetër penale për të cilën dyshohen të arrestuarit është "Kryerja e veprës terroriste", vepër kjo që dënohet me jo më pak se pesë vjet burgim.

Ndërsa vepra tjetër për të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon të arrestuarit, “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, dënohet me gjobë deri në 7,500 euro dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Një bombë dore e konfiskuar në operacionin ku u arrestuan pesë persona të dyshuar për terrorizëm.
Një bombë dore e konfiskuar në operacionin ku u arrestuan pesë persona të dyshuar për terrorizëm.

Të arrestuarit dyshohen po ashtu për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për këtë vepër penale, Kodi Penal i Kosovës thotë se kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind 7,500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Ndërkaq, në një operacion të ndarë, më 11 tetor, Prokuroria Speciale njoftoi se arrestoi dy persona me iniciale R.J dhe H.D nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të Kodit Penal lidhur me nenin 56 paragrafi 1 dhe 2 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Këta dy persona po ashtu dyshohen për veprën penale “Fajde”. Për këtë rast u kryen bastisje në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG