Ndërlidhjet

Një muaj paraburgim për dy serbë të arrestuar në veri


Automjetet e Policisë së Kosovës në rrugët e Zveçanit pas tensioneve gjatë ditës, 26 maj 2023.
Automjetet e Policisë së Kosovës në rrugët e Zveçanit pas tensioneve gjatë ditës, 26 maj 2023.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka vendosur masën e paraburgimit për një muaj për dy shtetas të Serbisë, të cilët ishin arrestuar një ditë më parë në veri të Kosovës për “posedim të paautorizuar të armëve dhe narkotikëve”.

Më 31 maj, Policia e Kosovës bëri të ditur se kishte arrestuar dy serbë, pasi që u ishin gjetur "disa pajisje të kundërligjshme, përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, dokumentacione”.

Në mesin e gjësendeve që Policia raportoi se gjeti në veturën e tyre kishte edhe thika, flamur serb, si dhe disa lloje të dyshuara të substancave narkotike.

Ata akuzohen për “përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Një ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e paraburgimit për dy muaj edhe për dy persona të tjera, të dyshuar për përfshirje në përleshjet në Zveçan më 29 maj.

Ata dyshohet se ishin pjesë e përleshjes mes protestuesve dhe forcave të rendit më 29 maj në Komunën e Zveçanit. Atë ditë, të lënduar kishin mbetur rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë tentimeve për t’i shpërndarë protestuesit.

Avokati i njërit nga të akuzuarit, R.P., Dejan Vasiq ka paralajmëruar apelim të vendimit në Gjykatën e Apelit, ndonëse ka thënë se nuk ka shumë pritje.

“Sipas mendimit tim, nuk ka asnjë shpjegim për vlefshmërinë e dyshimeve. Kjo është hera e parë që kam parë dikë që e bazon dyshimin në raportime të mediave, pa ndonjë dëshmi konkrete për atë që janë akuzuar”, tha Vasiq për REL-in.

Ndaj këtij vendimi reagoi edhe Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - e cila e ka quajtur atë “vendim të paligjshëm dhe të pabazë të Gjykatës së Kurtit, e cila urdhëron që bashkëqytetarët tanë të pafajshëm të mbahen në paraburgim pa asnjë dëshmi fajësie”.

“Përkundër thirrjeve të përfaqësuesve ndërkombëtarë për uljen e tensioneve, Kurti me këtë vendim për paraburgim ka treguar se dëshiron të ngrejë tensione dhe të shkaktojë probleme me çdo kusht”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Protestat në këto komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG